
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, duke goditur një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik që realizohej përmes faqeve të falsifikuara që imitonin faqen zyrtare të Posta Shqiptare.
Operacioni u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, pas hetimeve intensive mbi aktivitetin kriminal online.
Sipas policisë, shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë. Përmes kësaj skeme synohej përfitimi i paligjshëm i shumave monetare nga llogaritë bankare të viktimave.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi francez Z.K., 22 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi gjerman T.M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan telefona celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin në mashtrimet kibernetike. Versus.al

