Një person ka humbur jetën në Prizren të martën, pasi ka rënë nga Kalaja.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se vdekja e M.K. (1954) është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
“Më datën 09.09.2025, rreth orës 11:11, policia ka pranuar një informacion përmes telefonit se një person ishte rrëzuar nga Kështjella e Prizrenit. Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur patrulla policore dhe autoambulanca. Në vendngjarje, patrulla policore ka konstatuar se bëhej fjalë për personin me inicialet M.K. (1954), i lindur në Llashkadrenoc, Malishevë, me vendbanim në Prizren. Sipas ekipit mjekësor të urgjencës, viktima ishte pa shenja jete”, ka njoftuar Bytyqi për KOHËN.
Ai ka thënë se nuk dihen aktualisht rrethanat se si ka ardhur deri te rënia e viktimës nga Kalaja e Prizrenit.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.
“Për momentin, nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur rënia e personit në fjalë. Policia, në konsultim me prokurorin, ka iniciuar rastin “Hetim i vdekjes” dhe është duke mbledhur informacione me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha Bytyqi.







