
Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka reaguar me një postim prekës pas ndarjes tragjike nga jeta të studentes Bora Keçi, e cila humbi jetën së bashku me të atin në një aksident automobilistik.
Në mesazhin e tij, Sinamati shpreh dhimbjen për humbjen e parakohshme të studentes së Fakultetit të Mjekësisë, duke theksuar se ajo ishte një vajzë e përkushtuar dhe me rezultate të shkëlqyera akademike.
Ai kujton gjithashtu se edhe babai i saj, mjek, kishte shërbyer me përkushtim në komunitetin shëndetësor, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për familjen dhe për të gjithë ata që i njihnin.
Në postimin e tij, pedagogu ka publikuar edhe një provim të të ndjerës në lëndën “Etikë dhe Deontologji Mjekësore”, ku Bora Keçi ishte vlerësuar me notë të shkëlqyer, duke e cilësuar atë si dëshmi të seriozitetit dhe përkushtimit të saj.
Sinamati i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes Keçi, kolegëve dhe komunitetit studentor, duke theksuar se humbja e saj dhe e të atit përbën një plagë të madhe për të gjithë.
Postimi
Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm.
Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës - Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!

