AKTUALITET /

Kulla në ndërtim "mollë sherri", gazetari: Ervis Martinaj mori peng Ervin Matën në mes të ditës

Shkruar nga Versus
Kulla në ndërtim "mollë sherri", gazetari: Ervis
Ervis Martinaj, Ervin Mata

Gazetari Artan Hoxha ka folur së fundmi lidhur me disa ngjarje të ndodhura vite më parë mes biznesmenit të zhdukur, Ervis Martinaj dhe Ervin Matës i cili u arrestua në Brazil dy ditë më parë.

Hoxha zbuloi detaje mbi plagosjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut duke treguar se asokohe Ervin Mata ishte përfshirë në marrëveshje dhe transferta të mëdha droge pa patur një grup kriminal të vetin. Sipas gazetarit, Mata ishte i aftë të organizonte transportin e lëndëve narkotike drejt Evropës.

“Kur ka ndodhur ngjarja në Bllok, Ervin Mata ka qenë 31 vjeç dhe ky është futur shpejt në këtë lloj industrie, vjen nga një familje me gjendje shumë të mirë financiare, i ati ka pasur një hotel para ’97, nuk ishte nga këta që vinte nga rruga. Ai nuk ka grup të vetin, por marrëveshjet që bënte, linjat që përdorte, ishte i aftë të organizonte një transfertë droge nga Amerika Latine, e doje në Hamburg ta zbarkonte aty”-tha Artan Hoxha në emisionin “Now”.

Por para se të ndodhte ngjarja në zonën e ish-Bllokut, Hoxha bëri me dije se Mata ishte marrë peng në mes të ditës nga Ervis Martinaj pranë RTSH-së për shkak të një kulle që po ndërtohej.

“Është marrë peng para RTSH, para se të ndodhte ngjarja në Bllok, në mes të ditës dhe është futur në një qendër tregtare aty pranë dhe është marrë nga Ervis Martinaj. U mor peng për një kullë që po ndërtohej. I është dhënë një çantë me 2 mln euro dhe i thanë çoja babait të firmoste, është filmuar aty”- tha Hoxha.

Më tej shtoi se pengmarrja nuk lidhej me një konflikt tipik gangsterësh, por me një investim të madh ndërtimi.

“Ervin Mata nuk ishte tipi i gangsterit që rrinte me armë në brez, ishte çështje e një investimi që sot vlen 100 mln euro. Është marrë që të lëshonin truallin dhe nuk e ka lëshuar, u ka thënë që është punë e babait tim dhe nuk ndërhyj. Kur ndodhi ngjarja në Bllok nuk ishin të panjohur me njëri-tjetrin”- rrëfeu gazetari. Versus.al

Poll