
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Mjull-Bathores, në Tiranë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:45 në rrugën “Haki Husha”, ku dyshohet se një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në portën e jashtme të banesës së shtetasit D. S.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 04:45, në rrugën “Haki Husha”, Mjull-Bathore, dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në portën e jashtme të banesës së shtetasit D. S., duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

