Një aksident i rëndë rrugor është shënuar paraditen e së dielës në aksin “Pogradec–Qafë Thanë”, ku si pasojë ka humbur jetën një grua e re dhe janë plagosur disa persona të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, aksidenti ka ndodhur pas përplasjes së një automjeti me drejtues shtetasin G. H., banues në Korçë, me një automjet tjetër me targa të huaja, i drejtuar nga shtetasi E. LL., banues në Maqedoninë e Veriut.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë pasagjerja Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banore e Livadhisë, Strugë, e cila ndodhej në automjetin me targa të huaja.
Nga aksidenti janë dëmtuar edhe dy drejtuesit e mjeteve si dhe dy pasagjerë të tjerë. Sipas autoriteteve, të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

