AKTUALITET /

I mbyllur për qytetarët, Pallati i Kongreseve shndërrohet në “lokal dasmash” për djalin e biznesmenit Kadri Morina

Mbetet shqetësues fakti sesi për qytetarët që kishin blerë bileta për të ndjekur këngëtarin italian, Pallati i Kongreseve ishte i mbyllur, ndërsa përgatitjet vijonin për dasmën e djalit të biznesmenit.

Shkruar nga Versus
I mbyllur për qytetarët, Pallati i Kongreseve shndërrohet në
Kadri Morina

Më 21 korrik qindra qytetarë të cilët kishin blerë biletat për të shijuar koncertin e legjendarit Italian 'Zucchero Fornaciari', u përballën me një surprizë të hidhur. Në vend të tapetit të kuq të artit, gjetën kaos total duke nisur që nga dyert e bllokuara të Pallatitt ë Kongreseve.

Pavarësisht se salla në Pallatin e Kongreseve ishte marrë me qira për performancën e këngëtarit Italian, qytetarët të cilët kishin paguar biletat nuk arritën dot të hynin brenda.

Arsyeja ishin përgatitjet madhështore për përgatitjen e dasmës së biznesmenit Kadri Morina, i cili njihet edhe si mik i kryeministrit Edi Rama. Prezantuesja Alketa Vejsiu me kompaninë e saj “Class Event” kishte marrë përsipër të përgatiste dasmën e djalit të biznesmenit të 'Eurosig-Insig' dhe 'UBA Bank', në hollin e pallatit që konsiderohet si aset kulturor publik i të gjithë shqiptarëve, por jo në këtë rast.

Salla e panaireve që kemi parë e raportuar shpesh për panairin e librit apo panairet e punës, është shndërruar në një kopsht gjigand lulesh. Mbi 850 mysafirë nga e gjithë bota janë ftuar për dasmën luksoze të djalit të biznesmenit.

Deri më tani nuk ka ndodhur kurrë që një aset kulturor publik të vihet në dispozicion të një biznesmeni për dasmë private. Institucionet duhet që të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me respektim të standarteve të organizimit dhe nëse këto aktivitete private po cënojnë funksionin kryesor të pallatit. Nga ana tjetër, është e rëndë që qytetarët të cilët paguajnë për të ndjekur një koncert të mos garantohen as me kushtet normale, akses dinjitoz dhe ambient të përshtatshëm, ndërsa i gjithë institucioni vendoset në shërbim të një biznesmeni. Versus.al

Poll