
Me kërkesë të Prokurorisë së Sarandës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për autorin e tretë të dyshuar në lidhje me vendosjen e lëndës shpërthyese në automjetin e Mirash Gjikolajt, ngjarje e regjistruar në fillim të muajit shkurt në zonën e Konispolit.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet për procedimin penal nr. 66/2026 nisën pas ngjarjes së 5 shkurtit 2026, kur në automjetin e shtetasit Mirash Gjikolaj, i parkuar në oborrin e banesës së tij, ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Prokuroria kreu veprime hetimore proaktive që çuan në identifikimin e dy autorëve të dyshuar, shtetasve G.T. dhe Xh.B., ndaj të cilëve më herët është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Në vijim të hetimeve, më 1 qershor 2026 u ndalua edhe shtetasi I.K., i dyshuar si pjesëmarrës në ngjarje. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë të modelit TT. Pas paraqitjes së provave të mbledhura nga organi i akuzës, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarin.
Sipas të dhënave hetimore, lënda eksplozive ishte vendosur në automjet me synimin që shpërthimi të ndodhte gjatë lëvizjes së mjetit. Ngjarja u parandalua në kohë pasi vetë Gjikolaj konstatoi diçka të dyshimtë në automjet dhe njoftoi menjëherë policinë.
Burime policore bëjnë me dije se Mirash Gjikolaj, 57 vjeç, është dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Ai kishte vite që ishte larguar nga Lezha dhe jetonte në fshatin Shëndëlli, pranë Konispolit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të motiveve të atentatit.Versus.al

