
Milionat e eurove të përfituara nëpërmjet aktiviteteve të jashtëligjshme po pastrohen në fusha të ndryshme biznesi në Shqipëri, kryesisht në atë të ndërtimit.
Më herët, Versus.al raportoi për pasurinë e dyshimtë të Bardhjus Bushajt, një 44 vjeçari i cili deri pak vite më parë ishte një shofer i thjeshtë, ndërsa tanimë numëron biznese e prona të shumta në zona të ndryshme të vendit sikur t’i kishte buzëqeshur fati brenda natës.
Financimet nga rrjetet e call center-ave
Ndërsa nuk dihet ende paratë e cilit oligark po pastron Bushaj, një gjë është e sigurt, se 44 vjeçari po shërben si mbulesë edhe për paratë e ardhura nga mashtrimet me call center. Dyshimet janë se Bushaj është i lidhur edhe me vëllezërit Peti dhe shërben si “lavatriçe” e miliona eurove që xhirohen prej tyre në këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Pronat dhe bizneset e Bushajt nën lupën e SPAK
44 vjeçari rezulton pronar tek “Lion Construction” me 50% të aksioneve në kompaninë që merret me fushën e ndërtimit dhe që më parë ka qenë nën pronësi të “Ante Group” që sërish është në shumicë e zotëruar nga Bardhjus Bushaj. Më 7 nëntor të vitit 2016, Bushaj i cili deri pak ditë para kësaj date, ishte një rrogëtar, papritmas themeloi kompaninë “Lion Construction” që tani ka në dorë disa projekte me kulla në Tiranë.
Bushaj është pronar i dyqanit Sisol dhe i disa vilave në Rolling Hills, Palasë dhe Green Cost.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme po heton për transaksione të dyshimta të kryera nga Bushaj i cili rezulton të jetë përfitues i tenderave me miliarda lekë nga buxheti i shtetit për rrugë e projekte të ndryshme.
Kompania e Bushajt, “Lion Construction” ka marrë 50% të kontratave të dhëna nga Bashkia e Tiranës përmes procedurave të mbyllura ose negociatave të drejtpërdrejta. Vlera totale e këtyre kontratave është përllogaritur në mbi 50 miliardë lekë. Në logjikën e një biznesi, probabiliteti që kjo të ndodhë është drejt zeros. Por dhe një qytetar I thjeshtë, të cilit nuk i është dashur të provojë fatin me tenderat e institucioneve shqiptare, e kupton që diçka kërcet në këtë histori.
Një tjetër ngjarje e habitshme ndodhi në 18 prill të vitit 2025 kur Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që kompanisë “Lion Construction” të Bushajt, t’i jepet një tjetër projekt i madh i quajtur “Albora’s Lake” që parashikon ndërtimin e 42 vilave luksoze, 17 kullave me nga 30 kate pranë liqenit të Farkës që konsiderohet si një ndër zonat më të bukura në Tiranë.

Habia qëndron në faktin se kjo kompani e shoferit që u kthye në milioner, kishte nisur punimet për ndërtimin e këtij projekti që në fund të vitit 2024, pra me muaj pa dalë leja nga Këshilli i Ministrave.
Si të mos mjaftonin këto, “Lion Construction” e Bushajt po ndërton edhe “Lion Park 2” tek Zogu i Zi me apartamente të ngjeshura me njëra-tjetrën në një kohë kur kryeqyteti është i tejmbushur me pallate të cilat jo vetëm që nuk kanë distancën miminale mes tyre, por nuk kanë lënë as rrugë për të kaluar zjarrfikësit e ambulancat në raste urgjence. Në raste të tilla, u takon institucioneve ligjzbatuese që të hetojnë për ‘pasurimin’ kaq të shpejtë të Biushajt në mënyrë që më pas këtë ‘histori suksesi’ ta zbatojnë edhe qytetarët e tjerë që mezi kalojnë muajin nga faturat e kripura të shërbimeve në Shqipëri. Ku i duhet mbase do t’u ‘ndrisë’ fati. Versus.al

