AKTUALITET /

I vuri zjarrin tokës së fqinjit pas një sherri banal: Si humbi jetën 80-vjeçari që dogji gjithë fshatin në Gramsh

Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje të përsëritura për evakuim të menjëhershëm, duke kërkuar bashkëpunim të plotë me autoritetet për të shmangur tragjedi të tjera.

Shkruar nga Versus

I vuri zjarrin tokës së fqinjit pas një sherri banal: Si humbi

Ditën e sotme është shënuar viktima e parë nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit. Një 80-vjeçar nga fshati Kullollas në Gramsh ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi, pasi ishte vetë ai që kishte shkaktuar zjarrin që më pas u përhap në gjithë zonën.

Sipas informacioneve paraprake, shkak për zjarrvënien është bërë një konflikt banal mes të moshuarit dhe fqinjit të tij. Nga inati, ai i vuri flakën parcelës së fqinjit, por zjarri doli jashtë kontrollit, duke përfshirë banesa, pyje dhe sipërfaqe të mëdha toke bujqësore.

Situata në Gramsh është përshkallëzuar në mënyrë dramatike, ndërsa autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve nga gjashtë fshatra: Kullollas, Bletëz, Menkollarë, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas. Dy fronte zjarri të rrezikshme po përparojnë me shpejtësi, të nxitura nga era dhe temperaturat ekstreme.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje të përsëritura për evakuim të menjëhershëm, duke kërkuar bashkëpunim të plotë me autoritetet për të shmangur tragjedi të tjera.

Ndërkohë, edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar me një apel publik, duke u kërkuar banorëve të zonave të rrezikuara të braktisin shtëpitë për sigurinë e tyre.

Shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e emergjencës ndodhen në terren, por ndërhyrja vijon të jetë e vështirë për shkak të terrenit malor dhe përhapjes së shpejtë të flakëve. /Versus.al/

Poll