
Një punëtor 60-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas katër ditësh në gjendje kritike, si pasojë e një aksidenti në punë të ndodhur në Lungavilla të Pavia-s, Itali.
Mediat italiane shkruajnë se viktima, Rudi Simaneta, u rrëzua nga një lartësi rreth tre metra teksa po punonte në një magazinë bujqësore, pasi kishte hipur mbi krahët e një piruni ngritës për të kryer pastrime në lartësi.
Sipas raportimeve, ai humbi ekuilibrin dhe ra duke goditur rëndë kokën në tokë. Menjëherë pas ngjarjes, kolegët njoftuan shërbimet e emergjencës, të cilat e transportuan me helikopter në spitalin “San Matteo” në Pavia, ku u trajtua në reanimacion në gjendje shumë të rëndë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 60-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë natës. Autoritetet italiane, përfshirë karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë, kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar respektimin e rregullave të sigurisë në vendin e punës.
Ndërkohë, sindikatat italiane kanë theksuar se ngjarje të tilla nuk mund të konsiderohen rastësi dhe kanë kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e punëtorëve në vendin e punës./Versus.al

