
Kurum në Elbasan nuk është thjesht një kompani e hetuar për mbetje toksike nga Prokuroria e Durrësit është një makineri e parregullsisë totale ku punonjës si Alban Gjata lihen të enden gjyqeve pa dëmshpërblim, teksa drejtuesit luajnë lojëra me ligjin dhe jetët e njerëzve.
Në 2 shtator 2021, një kavo çeliku ra mbi Alban Gjatën gjatë punës në remont, duke e lënduar rëndë në dorë.
Kurum e dërgoi fshehurazi në spital privat, pa lajmëruar inspektoratin e punës apo autoritetet sepse e kishin të punësuar jashtë rregullave, pa kontratë zyrtare.
Sot, në 2026, pas 5 vitesh shtyrjesh gjyqësore (21 janar, 16 maj, 8 tetor 2025), Gjata ende nuk ka marrë asnjë lek.
Kompania pranon ngjarjen dhe procesverbalin e inxhinierit Ardit Çeliku, por refuzon përgjegjësinë me justifikimin e dobët: "Nuk duhej të ishte aty" si operator derbi, jo në zonën e remontit.
Gjykata e Durrësit i ka kërkuar me ngulm Kurumit planifikimin ditor të punës, organikun, rregulloren e detyrave dhe korespondencën administrative asgjë nuk është paraqitur.
Asnjë kallëzim penal apo administrativ për shkelje të rregullave të sigurimit teknik, asnjë ekspertizë për mekanizmin e rënies së strukturës metalike.
Avokatët e kompanisë pohojnë "repartet e ndara" dhe "pa detyra ekstra", por nuk prodhojnë asnjë dokument që vërteton pretendimet.
Nën petkun e prodhimit industrial, Kurum ka ndërtuar një sistem ku punonjësit punësohen nën tavan, lëndohen në kushte të pasigurta dhe braktisen kur kërkojnë drejtësi.
Seanca e radhës më 6 mars 2026 mund të jetë fundi i lojës: gjykata kërkon prova shkencore pune, tatimore dhe administrative.
Por pyetja e vërtetë mbetet: Sa aksidente të tjerë ka fshehur Kurum? Sa punonjës enden të harruar, teksa fabrika vazhdon të ndotë dhe të shfrytëzojë? Kjo nuk është industri – është krim i organizuar kundër punëtorëve./ Versus.al


