
Sot Gjykata Kushtetuese shqyrtoi për rreth 2 orë kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj i cili ka kërkuar shpalljen “jokushtetuese” të masës së parë të “arrestit me burg” të vendosur nga GJKKO më 10 shkurt të vitit të kaluar. Seanca u mbyll pa një vendim, ndërsa kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm.
Pas përfundimit të shqyrtimit, në seancën e radhës pritet të jepet vendimi. Data për mbajtjen e seancës ende nuk është caktuar.
Veliaj pretendon se me këtë masë i është shkelur liria individuale dhe i është pamundësuar ushtrimi i detyrave të tij si kryebashkiak. Në ankesën e tij, Veliaj thotë se kriteret për caktimin e masës së sigurisë nuk janë analizuar, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kushdo, pas kalimit të një periudhe kohore, duhet të gjykohet në liri kundrejt një garancie financiare.
Nga ana tjetër SPAK argumenton se fakti që Veliaj ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, i rëndon pozitat e tij dhe se detyra e tij si kryebashkiak është e mjaftueshme për të ndikuar tek dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë.
Kjo është hera e parë që Kushtetuesja shqyrton një masë të tillë për një kryebashkiak. Versus.al

