AKTUALITET /

Kishte lënë takim, por e qëlluan me plumb në kokë, flet kunati i vëllezërve Alikaj: Të dy u ekzekutuan, Çaka dhe Spahiu u liruan. Kush e di të vërtetën?

Viktima Alikaj nuk kishte asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme por familja e lidh ngjarjen me vrasjen e Alfons Çakës në Barcelonë, ngjarje për të cilën ishte dënuar i vëllai i viktimës

Shkruar nga Versus

Kishte lënë takim, por e qëlluan me plumb në kokë, flet

Ajo do të duhej të ishte fundi i një dite të zakonshme pune për Gëzim Alikaj, 52-vjeçarin nga Elbasani, që punonte si shofer autobusi.

Pas orëve të gjata të aktivitetit ditor, në mbrëmje ai është drejtuar pranë zyrave të një kompanie transporti, ku do të merrte një autorizim për udhëtimin e së nesërmes në Kroaci. Sapo ka parkuar automjetin, është qëlluar me armë zjarri.

Një goditje precize me plumb në kokë, nga afër, nuk i ka dhënë asnjë mundësi shpëtimi. Alikaj ka humbur jetën në vend. Ai është gjetur i pajetë rreth orës 20:30–21:00 nga personi me të cilin kishte lënë takimin. Nuk dihet sa kohë ka qëndruar aty, por dëshmitari ka konstatuar vdekjen dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

“I vëllai i Florenc Alikajt, Gëzimi, i ndjeri i dytë, do të merrte autorizim për ekskursion, se punonte shofer autobusi e do shkonte në Kroaci, për t’i marrë një autorizim presidentit të një firme. Kur zbret ky, Riza Hasa, president firme, shikon Gëzimin, e kishin vrarë brenda në makinë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj në një intervistë për "Inside story".

Viktima Alikaj nuk kishte asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme. Ai bënte një jetë normale dhe punonte si shofer për të siguruar jetesën. Familja e lidh ngjarjen me vrasjen e Alfons Çakës në Barcelonë, ngjarje për të cilën ishte dënuar i vëllai i viktimës. Kjo do të ishte edhe pista kryesore e organeve hetimore.

“Mua nuk më thirri prokuroria e Elbasanit për këtë vrasjen e Gëzimit. Prokuroria mori vetëm të atin e Gëzimit, ai ishte 79-vjeç, nga veshët nuk dëgjonte mirë dhe e mbajtën thuajse 6 orë. E morën në pyetje dhe e nxorën, e çuan në shtëpi. Kjo u bë vetëm për hakmarrje ndaj Florenc Alikës”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

“Indiciet përbëjnë shkaqe që të rihapen çështjet dhe përherë prokuroria duhet të shtrijë hetimet për të vërtetën e plotë, pra edhe çështje që konsiderohen të lidhura”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.

Sot e kësaj dite, ngjarja ka mbetur pa autor, me gjithë informacionet e forta që të afërmit kanë dhënë në Policinë e Elbasanit ndër vite. Madje, familjarët e viktimës flasin për presione të hapura fill pas krimit mafioz ndaj Gëzimit.

“Kanë ardhur edhe para shtëpisë time, te stacioni i trenit, lagjja Hekurudha, dhe kanë pyetur ku e ka shtëpinë Ladi Lytit, po tre këta persona dhe një i katërt që nuk njihej, po atë natë që vranë Gëzimin”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

Për këto presione, bëjnë përgjegjës të njëjtët njerëz. Madje, Merxhani flet edhe për mesazhe të tërthorta që i kanë shkuar familjes së tij nga persona të njohur me familjen në hasmëri.

“Kam qenë një ditë në Bradashesh e më tha një miku im, ai ka vdekur sot, me mbiemër Skura: ‘Lad’, tha, ‘këto kishin lidhje familjeje me Everest Çakën e Arjan Spahiun se janë çuna teze’. ‘Lad, hapi sytë’, tha, ‘se do të vrasin çunat ty’. I thashë: ‘S’ka pse, se i kam rritur me edukatë’…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

“Shteti ka detyrimin që, kur ka dyshime që mund të jenë ngjarje që mund të çojnë në hakmarrje, duhet kontroll territori në pika ku ndodhet konflikti i ndezur. Mospasja e mundësisë së ndërprerjes së konfliktit do të thotë që masat e shtetit s’kanë qenë në nivelin e duhur për parandalimin e këtyre ngjarjeve”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.

Pas vrasjes së Gëzimit, të afërmit e tjerë thuajse u larguan të gjithë nga Elbasani nga frika e hasmërisë. I vetmi që ka mbetur është dhëndri i familjes, Vladimiri, i cili prej vitesh vijon përpjekjet në dyert e drejtësisë për zbardhjen e ngjarjeve.

“Motrat e tjera ikën direkt, u bë varrimi i Gëzimit dhe ikën. Dërgoj vjehrrin, ka qenë sakat, burrë që, si ta them, kishte respekt lagjja për atë, e kam çuar 4 herë dhe e përcillnin. Kur ka ikur ditën e fundit më tha vetëm një llaf: ‘Lad, ty të kam në vend të Gëzimit, vetëm duhet të dalin autorët në skenë’. I thashë: ‘Hamza, unë po vuaj shumë me gocën tënde, ata do dalin në skenë dhe mbaroi ky muhabet, amaneti këtij…’”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.

Kush janë autorët e dyshuar për vrasjen?

Everest Çaka ose i njohur ndryshe si Ibrahim Çaka rezulton të jetë akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt në 2010.

Madje ai dyshohej atëherë të ishte ekzekutor direkt, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë vëllain në Spanjë disa vite më parë.

Të përfshirë në ngjarje ishin dhe Elton Hyka dhe Ardit Spahiu.

Ndërkohë disa muaj para vrasjes së tij, në Belgjikë u vra dhe kushëriri i Everest Çakës, Arjan Spahiu me tetë plumba në nëntor të 2020.

Ndërkohë Arjan Spahiu del të ketë lidhje familjare me një tjetër personazh të njohur të krimit në Elbasan, Erion Alibej që e ka vëlla të burrit të motrës.

Everest Çaka u ekzekutua më 11 maj 2021, gjatë një atentati në Elbasan, teksa e plagosur mbeti dhe gruaja e tij.

Poll