
Policia shkatërroi një organizatë shqiptare të narkotrafikut që operonte në Itali dhe Spanjë. Droga shpërndahej në restorante, dhe klube nate. Banda kriminale drejtohej nga shqiptarët, por pjesë e saj ishin edhe trafikantë nga vende të ndryshme.
Hetimet kishin filluar dy vite më parë në provincat e Vareses dhe Milanos.
Në pranga ranë shtatë shqiptarë dhe një italian në provincat e Varese, Pavia, Monza dhe Aosta. Pjesë e grupit ishte edhe një grua rumune, tashmë e arrestuar.
Gjatë kontrollit, gruas rumune që jetonte në zonën e Alto Milanese, iu kapën 1.25 kilogramë hashash të ndarë në 13 blloqe, 155 gramë kokainë, 36 gramë marijuanë dhe 24 gramë heroinë.
Arrestim tjetër u bë në zonën e Aosta, ku një shqiptar kishte fshehur në banesë 650 gramë kokainë, 100 gramë hashash, peshore precize dhe 5,000 euro para të gatshme
Hetimet dy vjeçare çuan në identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të vendosur në të gjithë zonën dhe në kontakt të ngushtë, automjetet e tyre ishin të rregjistruara në emër të personave të tjerë. Shtëpitë përdoreshin si laboratorë për përgatitjen e drogës, më pas shitej tek klientët e grupit kriminal.
Hetuesit zbuluan ngarkesë të konsiderueshme kokainë që po transportohej nga Spanja në Itali, brenda një automjeti. Në total policia Italiane dhe spanjolle arrestuan dhjetë persona dhe po vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë.
