AKTUALITET /

E rëndë në Korçë/ 48-vjeçarja ndërron jetë në banesë, i biri: Tha se nuk ndihej mirë, por mjekët na larguan

Shkruar nga Versus
E rëndë në Korçë/ 48-vjeçarja ndërron
I biri i Gentiana Nanos

Një grua 48-vjeçare ka humbur jetën në banesën e saj në lagjen 15 të Korçës.

Gentiana Nano ishte paraqitur dy ditë më parë në urgjencën e spitalit, pasi kishte probleme me frymëmarrjen.

Ajo u trajtua në repartin e urgjencës dhe më pas u dërgua në shtëpi.

Të nesërmen, gjendja e saj u përkeqësua sërish dhe familjarët thirrën ambulancën; mjeku i shërbimit të urgjencës i aplikoi injeksione, pasi 48-vjeçarja kishte rrahje të larta të zemrës dhe tension të ulët.

Sot në mëngjes, gjendja e saj u rëndua edhe një herë dhe ishte djali dhe babai që e gjetën të pajetë në dhomë.

Djali i viktimës, Erdiol Nano, akuzon mjekët e spitalit të Korçës se nuk kanë ofruar kujdesin e duhur për nënën e tij, duke pretenduar se ajo është lënë pa trajtimin e nevojshëm.

“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do shkojmë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?

Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrenë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se s’po na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë.
Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”, u shpreh ai.

Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe stafi mjekësor që kanë qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48 vjeçares do ti nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Poll