AKTUALITET /

Kompania Tete Albania fsheh aksidentet e minatorëve të Spaçit! Miliona për të huajt, çikërrima për shqiptarët

Shkruar nga Versus

Kompania Tete Albania fsheh aksidentet e minatorëve të Spaçit!

Ky vend, është i bekuar nga zoti, por i zhvatur dhe i grabitur, duke lënë njerëzit në mjerim.

E fshehur mes maleve të Mirditës, miniera e Spaçit ku u nxorën tonelata bakër, pirit, ar, argjend e një sërë elementesh të tjerë është një dëshmi e fortë e të shkuarës dhe të tashmes. Në kujtesën tonë kombëtare Spaçi ishte si një laborator dhimbjeje ku regjimi komunist përpunoi, po aq sa mineralet, edhe jetët e njerëzve.

Miniera filloi të shfrytëzohej në vitet ‘60-të. Përveç minatorëve të zakonshëm, atje u dërguan edhe qindra të burgosur politikë, intelektualë, klerikë, studentë, ish-oficerë, njerëz që u internuan.

Spaçi nuk ishte vetëm minierë; ishte burg, kamp pune, mekanizëm nënshtrimi. Të burgosurit punonin 10 deri 12 orë në galeri të rrezikshme, pa mbrojtje, në temperaturë dhe lagështi ekstreme.

Maji i vitit 1973 mbetet momenti më i paharruar i këtij vendi. Në atë muaj, të burgosurit u ngritën një revoltë që më vonë u quajt “kryengritja e Spaçit”, një akt i jashtëzakonshëm guximi. Flamuri kombëtar u ngrit pa yllin komunist, një akt i paprecedentë sfide. Revolta u shtyp me dhunë të egër. U bënë arrestime dhe dënime. Disa u ekzekutuan.

Edhe sot, duket se historia po përsëritet. Jo me arrestime dhe ekzekutime, por me shfrytëzim çnjerëzor. Një trajtim që i hodhi minatorët në protesta për siguri në punë dhe trajtim dinjitoz.

Kërkesa të mohuara nga kompania turke “Tete Albania” e cila shfrytëzon pasuritë e nëntokës në Spaç.

Tani ai i ka shkëputur marrëdhëniet me punonjësit, ata janë në grevë, familjet çfarë do të hanë”, u shpreh Mark Marfana, banor në Orosh.

“Detyrohem me e lënë dhe me u shpërngulë në Tiranë ose në emigracion. Kjo na ka mbajtur, dy punë ka pasur, koprativa dhe miniera punët më të vështira”,  u shpreh minatori Vladimir Mërdhoçi.

Greva e minatorëve të Spaçit zë fill në mënyrën se si u pushua nga puna brigadieri i turnit Albert Bushprendi pas angazhimeve në sindikatën e minatorëve.

“Në turnin e dytë, mua si përgjegjës turni, pasi kisha fut punëtorët në punë, firmos për punën, më thirrën dhe më njoftojnë largimin”, u shpreh minatori Albert Bushprendi.

Ka qenë turn i parë, ka punuar turn i parë dhe nuk e ka larguar në fund të turnit të parë në mënyrë që të mos jenë dy turne bashkë se mund të bëjnë një protestë, por e ka larguar në mes të turnit të dytë”, u shpreh Kryetari i Sindikatës, Dritan Lleshi.

Në reagimin e bërë aso kohe, kompania mohoi shkarkimin e minatorit për shkak të pjesëmarrjes në sindikatë, por, mbajti një tjetër qëndrim.

Bushpreni është shkarkuar nga detyra pasi ka shkelur procedurën e raportimit dhe hetimit të incidentit në punë.

Në fakt, Bushprendi dhe minatorë të tjerë deklaruan të kundërtën e variantit të kompanisë. Ata pohuan se ishte kompania që fshihte incidentet në punë.

E kam nxjerr unë me sy të dëmtuar nga nëntoka, nuk shikonte fare, fatmirësisht i erdhi”, u shpreh minatori Albert Bushprendi.

Kemi pasur raste lëndime nga më të ndryshmet, por miniera nuk është as luks as hotel me yje, ne të gjithë i dimë vështirësitë, por vështirësitë duan të paguhen.

Edhe raportet nuk janë paguar, i fshehin dëmtimet që bëhen në punë i fsheh kompania. Nuk i raporton në shtet, nuk raportohen, nuk kalojnë me sigurime në bazë të ligjit. I jep një ditë pune se ne hallexhi jemi edhe nuk i dimë rregullat, shkojmë thonë të japim ditë pune nuk t’i kalojmë me raporte për mos me e nxjerr, të japin ditë pune sa të bëhesh mirë vetëm thonë mos fol. Ka pasur raste humbje jete në sipërfaqe, jo në minierë dashtë Zoti, jashtë sektorit të minierës ka pasur”, u shpreh Marjo Simoni.

Aksidentet në punë ndodhin për shkak se punonjësve iu ngarkohen detyra të ndryshme në minierë, jo vetëm ato për të cilën janë të specializuar. Këto urdhra për të punuar në pozicione të tjera të minierës janë verbale dhe nuk ka asnjë dokument për to.

Ne punojmë në një pozicion pune, unë punoj me lëndë plasëse, të fut në një pozicion pune tjetër që nuk i përshtatet punës time edhe mund të marrësh një dëmtim dhe thotë përse ke shkuar atje, pse nuk ke ndenje në pozicionin e punës, por ai vetë më thotë duhet të shkosh atje vetë thotë përse ke shkuar.

Unë kam vajzën 2 vjeçe përditë më thotë puna babi, puna, përditë më marrin në telefon ishalla doli shëndosh prej miniere duke i thënë se shpëtova për pak sot, pak më ra një gur e shpëtova”, u shpreh minatori Albert Bushprendi.

Inspektorati shtetëror i Punës i tha zyrtarisht Inside Story se ka kryer në minierën e Spaçit 3 inspektime për shkak të aksidenteve ne punë, ku kanë rezultuar 4 punëmarrës të aksidentuar. Nuk dihet nëse ky institucion ka informacion për incidente të fshehura.

Megjithatë, kur flasim për sigurinë në galeri, institucioni përgjegjës është Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

Gjatë periudhës Janar-Nëntor janë kryer dy inspektime të planifikuara dhe 2 inspektime jashtë programit në nëntor 2025, të kryera gjatë periudhës së grevës. Prej vitit 2022-2025 në minierën e bakrit Spaç dhe fabrikën e pasurimit nuk ka pasur asnjë aksident me pasoja fatale në nëntokë. Prej kësaj miniere janë raportuar 3 aksidente me pasojë plagosje.

Punonjësit e huaj të minierës paguhen me miliona, shqiptarët çikërrima

Dokumentet zbulojnë hapur një tjetër formë abuzimi dhe diskriminimi. Nga listpagesa e muajit gusht të vitit 2025 shikohet se pagat për punonjësit e huaj shkojnë deri në 550 mijë lekë të rinj.

“Punojnë edhe shtetas të huaj të cilët me të njëjtin kod dhe me të njëjtin profesion, me të njëjtën punë në të njëjtat galeri paguhen disa herë më shumë se minatorët shqiptarë pra me kombësi shqiptare dhe natyrisht kjo është e pafalshme. Kjo historia që del punëdhënësi i tyre apo del një inspektor shteti dhe thotë shiko se ky inxhinieri apo ky minatori apo ky zjarrmëtari ka marrë 2 milionë  lekë në muaj natyrisht që është një histori banale. Po tu hysh llogarive do të thotë që ato dy milionë janë për 26 ditë pune. Punon sot në Shqipëri përveç bujqve një njeri 26 ditë në muaj?”, u shpreh deputeti i PS, Erion Brace.

Në listëpagesa vërehet se punohet 26 ditë pune në muaj, çka përbën shkelje të Kodit të Punës, nga ana tjetër vetë minatorët shprehen se për të rritur të ardhurat punojnë nga dy turne nëntokë. I tillë është edhe rasti i Albert Bushprendit, i cili u pushua i pari nga puna, duke sjellë efektin zinxhir drejt grevës dhe shkarkimeve masive.

“Të punosh si skllav, duke i dhënë të ardhura sa të duash me bakër me flori me të gjitha, ai nuk të përfill”, u shpreh sodisti Tonin Përkeqi.

“Ka punëtorë që punon në minierë edhe është me 28 mijë lekë të vjetra”, i shpreh Dritan Lleshi, Kryetar i Sindikatës.

“Unë punoj dyfishin e kohës, ajo nuk është paga ime, është mund i tepruar”, u shpreh minatori, Albert Bushpendi .

“Me këtë pagë që kemi na, 41 mijë lekë të vjetra marr, jam vetë i treti në shtëpi, me shtëpi me kredi”,  u shpreh zjarrmëtari Marjo Simoni.

“T’i shfrytëzosh përtej 8 orarëshit nëntokë, në një punë tmerrësisht të vështirë dhe me impakt fizik, mental, e që ka lidhje drejtpërdrejtë me shëndetin të atij punëtori që është atje dhe që mund të ketë pasoja shumë të mëdha edhe për kolegët e tij por edhe për vete minierën është shfrytëzim kriminal dhe barbar i këtyre punëtorëve”, u shpreh deputeti i PS, Erion Brace.

Minatorët tregojnë se punojnë në kushte të vështira në punë, rrezikshmëri të lartë nga rrëshqitja e gurëve, gazrat dhe shpërthimet që kryejnë.

“Jemi në tymin e minave, jemi në tymin e makinerive të rënda që punojnë aty si bëhet nami nga gazrat, jemi në ujë, në baltë”,  u shpreh zjarrmëtari Lekë Gjergji.

“Kjo rrezikshmëri ka me lëndë plasëse, ne përdorim lëndë plasëse edhe gurët, vendi është i paarmatosur, ka shumë vende pa armatosur, por nuk duan me ditë ata vetëm kërkojnë a u bë plasja, jo, pse nuk e bane, kërkesë llogarie, a do të rrish në punë ose të bëjmë plasjen, edhe ka raste që kanë ra gurë, mua më kanë rënë disa herë”, u shpreh zjarrmëtari Marjo Simoni./Inside Story/

Poll