
Pas një hetimi dyvjeçar, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba për gjashtë kompani që grumbullojnë dhe tregtojnë fruta-perime në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë: Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK.
Hetimi zbuloi se këto kompani dhe pronarët pas tyre kishin vepruar si një kartel, duke bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit dhe duke diktuar tregun në dëm të fermerëve.
Fitimi i aplikuar mbi kosto arrinte deri në 115%, duke dëmtuar të gjithë zinxhirin e furnizimit.
Pronarët e kompanive të gjobitura janë:
Faton Morina – Omer Fruit SHPK, Lushnjë
Nedrete Arapi – Nedrete Arapi PF, Lushnjë
Besim Thaqi – Besim Thaqi PF, Fier
Bekim Morina – Morina Grup SHPK, Fier
Nuri Zela – Fruit-To-Zela SHPK, Fier
Roland Vrapi – Roland-2012 SHPK, Berat
Hetimi tregoi se fermerët shpesh përballeshin me: çmime të diktuara, varësi nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve, pagesa të vonuara dhe dyer të mbyllura për negocim.
Ky vendim ka si qëllim të krijojë një treg më transparent dhe konkurrues, duke përmirësuar pozitat e fermerëve dhe duke vendosur standarde të qarta për çmimet dhe kontratat në tregun e fruta-perimeve.
Komisioni i Konkurrencës ka urdhëruar kompanitë e gjobitura të:
Afishojnë publikisht çmimet aktuale të produkteve
Të jenë subjekt monitorimi për 1 vit
Po ashtu, institucione të tjera, si Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave, rekomandohen të krijojnë:
Një platformë kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore)
Kontrata standarde dhe të detyrueshme
Bashkëpunim për implementimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe sigurimin e një konkurrence të ndershme në tregun agro-ushqimor në Shqipëri./Versus.al

