Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malin e Llogarasë dhe opinionin publik në ditët e fundit. Rreth 22 kuaj të egër, që shëtisnin të lirë në pyjet e zonës, janë qëlluar me armë gjahu nga një banor lokal. Si pasojë e këtij akti të rëndë, katër prej kuajve kanë ngordhur, ndërsa disa të tjerë janë plagosur me saçme. Tufa është shpërndarë dhe pjesa më e madhe është strehuar në zonat e thella të Karaburunit.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është identifikuar nga policia si Selfo Merkohitoj, banor i fshatit Dukat, në rrëzë të Llogarasë. Sipas burimeve nga komuniteti dhe autoritetet, Merkohitoj ka qenë më herët i dyshuar për vepra të tjera penale, përfshirë zjarrvënie dhe prerje të paligjshme të pyjeve. Në momentin e ngjarjes, ai ishte i shoqëruar nga djali i tij, K. Merkohitoj.
Banorët e zonës shprehen se familja Merkohitoj është e njohur për dëmtimin sistematik të pyjeve të Llogarasë dhe për lidhjet me biznese që operojnë në zonë. Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale të krimit ndaj kafshëve dhe dëmtimit të ekosistemit.
Ngjarja ka shkaktuar një reagim të fortë në opinionin publik dhe organizatat mjedisore, të cilat kërkojnë ndëshkime të rënda për autorët dhe masa të menjëhershme për mbrojtjen e pasurive të rralla natyrore të vendit. /Versus.al/






