Kosovë- Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi ka deklaruar për mediat se familja e tij nuk ka patur asnjë konflikt me askënd dhe se nuk ishin në dijeni për marrëdhënien mes Ardita Gashit dhe Ilaz Brahimit që përfundoi me vdekjen e të dyve dhe vrasjen e një tjetër anëtareje të familjes.
Sipas dëshmisë së tij, e gjithë tragjedia e mbrëmjes së 22 marsit ka ndodhur brenda pak minutash duke treguar se Ardita pasi kishte qëlluar për vdekje 45 vjeçarin, ishte afruar pjesëtarëve të tjerë të familjes së saj.
“Pasi qëlloi atë djalin, ajo shkoi tek nusja e xhaxhait. Ishin bashkë me nusen e djalit dhe tre fëmijët. Ardita iu tha të dilnin jashtë sepse kishte diçka për të biseduar me nusen e xhaxhait. Sapo dolën, dëgjuam të shtëna. Ne ikëm menjëherë, por ajo u mbyll në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo drejtoi armën ndaj vetes dhe i tha: ‘largohu, se do të të vras edhe ty’”, deklaroi ai duke nënvizuar se për krimin autorja përdori një pistoletë dhe jo armë automatike.
Të shtënat e mbrëmjes së djeshme në Podujevë i morën jetën Ilaz Brahimit, Miradije Gashit e cila u plagos rëndë dhe më pas ndërroi jetë në QKUT si dhe Ardita Gashit e cila vrau me armë zjarri Brahimin me të cilin kishte patur marrëdhënie dhe të afërmen e saj të moshuar, para se të qëllonte veten. Versus.al


