
Operacioni i SPAK kundër një grupi kriminal të trafikut të narkotikëve që çoi në sekuestro të qindra pronave, vërteton dyshimet që paratë e drogës të përfituara nga trafiku i drogës, që bëjnë grupet kriminale në Europë futen në Shqipëri dhe pastrohen në ndërtim, në Tiranë, Durrës apo bregdet.
Kështu ka deklaruar gazetari Ferdinand Dervishi, gjatë një interviste në media ku tha se dhjetë personat ndaj të cilëve janë lëshuar urdhra arresti, janë zbuluar nga SkyECC më shumë nga bisedat që bënte Shpëtim Aliu, furnizues i disa grupeve me kokainë, me vëllanë e tij Isa Aliu.
“Ky është rasti i dytë pas Artur Shehut, se si krimi i organizuar ka gjetur te politika aleatin për tu futur në këtë lloj biznesi. Flasim për një nga grupet në majë të krimit shqiptar siç është Eldi Dizdari apo siç njihej Denis Matoshi, i cili është pikasur fillimisht në Belgjikë, duke lëvizur me një makinë 600 mijë euro.
Nga verifikimet rezultoi se ishte në kërkim nga antimafia italiane dhe autoritetet belge. Italia e akuzon për trafik ndërkombëtar droge dhe nga ky moment, në vitin 2021, fshihet në Dubai. Këta janë zbuluar nga SkyECC më shumë nga bisedat që bënte Shpëtim Aliu, furnizues i disa grupeve me kokainë, me vëllanë e vetë Isa Aliu. Paratë fshiheshin në fuçi dhe investoheshin”, tha Dervishi.
Ai ka shpjeguar se më pas, trafikantët blinin kompani që kishin një historik, kompani që nuk ishin të reja dhe futeshin në biznes.
“Aliu kishte themeluar një rrjet biznesesh në Elbasan. Kishin investuar në resorte turistike, në vila, në Lalëz, Hamallaj dhe Himarë dhe kishin një kompani sigurie. Gjithë asetet e sekuestruara të këtij grupi shkon 150 milionë euro.
Po të shohësh projektin në zonën mes Himarës dhe Jalës, është një zonë shumë e lakmuar me 200 dhoma luksoze, duke pastruar paratë. Por i kemi dhe në hotele luksoze si Hotel Elisa Tirana, në Rrugën e Dibrës. Ky grup i ka futur paratë në Shqipëri në kompani që nga supermarketet, kompani sigurie, por dhe në ndërtim të kullave në Tiranë.
Kishin një pjesë të madhe të një kulle 33 katëshe dhe së fundmi po shkonin në sektorin e turizmit. 11 ton drogë janë kapur. Ndërsa për 50 ton autoritetet e kanë vërtetuar se e kanë trafikuar. Eldi Dizdari ka investuar shumë në Dubai dhe për këtë arsye është shumë e vështirë që të ekstradohet”, tha më tej gazetari.

