AKTUALITET /

Parlamenti Europian miraton rezolutën për Shqipërinë 2025, 483 vota pro fokus te integrimi dhe zonat e mbrojtura

Në rezolutën e miratuar janë përfshirë edhe dy amendamente të reja që lidhen me çështjet e ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe debatet mbi investimet në Sazan

Shkruar nga Versus

Parlamenti Europian miraton rezolutën për Shqipërinë 2025,

Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025 me 483 vota pro, duke konfirmuar mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit.

Në rezolutën e miratuar janë përfshirë edhe dy amendamente të reja që lidhen me çështjet e ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe debatet mbi investimet në Sazan.

Një grup prej 13 eurodeputetësh të Grupit të të Gjelbërve ka propozuar një amendament që kërkon vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi për të gjitha lejet e reja të ndërtimit në zonat e mbrojtura. Sipas propozimit, kërkohet pezullimi i çdo procedure të re për leje ndërtimi dhe ndërhyrje zhvillimore, deri në shfuqizimin e dispozitave të ligjit aktual për zonat e mbrojtura, të cilat konsiderohen të papajtueshme me standardet e Bashkimit Europian.

Në tekst theksohet se çdo projekt në këto zona duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis, në përputhje me standardet e BE-së, si dhe një procesi transparent konsultimi me komunitetet lokale, ekspertët dhe shoqërinë civile.

Rezoluta konsiderohet një sinjal i rëndësishëm politik për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vendosur njëkohësisht theks të shtuar te mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i standardeve europiane në zhvillimet infrastrukturore.Versus.al

Poll