Live Updates /

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të shfuqizohen ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura e investimet strategjike

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit, duke thënë se "Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit". Ndërsa opozita thotë se amendamenti i miratuar për Vjosë-Nartën mbështet kërkesat e protestuesve dhe përmban thirrje të qarta për qeverinë shqiptare lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit, duke thënë se "Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit". Ndërsa opozita thotë se amendamenti i miratuar për Vjosë-Nartën mbështet kërkesat e protestuesve dhe përmban thirrje të qarta për qeverinë shqiptare lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura.

4 Postime
56 MINUTA ME PARE

Progres-raporti për Shqipërinë, ja çfarë u miratua në PE lidhur me amendamentet mbi Zvërnecin dhe Sazanin

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, por duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Amendamenti i miratuar nga eurodeputetët, i cili u publikua edhe nga kryeministri Edi Rama në Facebook, thotë:

“46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me një kërkesë të kahershme të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, si dhe me objektivat përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”

Në të njëjtën kohë, teksti i miratuar kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, pasi sipas Parlamentit Europian ato lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen dhe kontrollin mjedisor.

Megjithatë, eurodeputetët nuk mbështetën amendamentin alternativ, i cili përmbante referenca shumë më specifike lidhur me projekte konkrete dhe zhvillime të fundit në Shqipëri.

Amendamenti i rrëzuar, përveç kritikave ndaj ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shprehte shqetësim edhe për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për zhvillimin e një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Teksti i rrëzuar:

“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji i vitit 2015 i Shqipërisë për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të lejeve dhe shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme mjedisore; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore; shpreh shqetësime, pra, në lidhje me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për të zhvilluar një projekt turistik luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës; bën thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që aktualisht drejtohet nga SPAK në këtë kontekst; bën thirrje që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, si gjatë përplasjeve që ndodhën në fund të majit 2026.”

Po ashtu, teksti i rrëzuar bënte thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që po zhvillohet nga SPAK, si dhe kërkonte garantimin e së drejtës për protestë paqësore, duke iu referuar përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026 mes protestuesve dhe kompanive private të sigurisë.Versus.al

1 ORE ME PARE

Amendamenti 17 i Parlamentit Evropian fut në sherr PD-PS/ Rama e quan pozitive, opozita kërkon shfuqizim të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të

Parlamenti Evropian i kërkon autoriteteve shqiptare një moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, teksa shpreh shqetësim serioz për zhvillimet e brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe se ndjekin nga afërt ato që i quajnë “protesta masive paqësore”.

Në raportin e miratuar këtë të mërkurë për Shqipërinë, eurodepuetët kërkojnë gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona.

Por, Rama në reagimin e tij, e quajti një gjë pozitive miratimin nga PE të amendamenteve që lidhen me zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.

Ndërsa opozita thotë se amendamenti i miratuar për Vjosë-Nartën mbështet kërkesat e protestuesve dhe përmban thirrje të qarta për qeverinë shqiptare lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura.

“Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27. Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të

Çfarë thotë Amendamenti 17?

"Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile."Versus.al

2 ORE ME PARE

Parlamenti Europian miraton rezolutën për Shqipërinë 2025 me 483 vota: Shqetësim polarizimi politik

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të

Parlamenti Europian miratoi të mërkurën rezolutën për Shqipërinë. Në rezolutë vlerësohet angazhimi i Shqipërisë në integrimin në BE dhe ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027.

Në raport theksohet “shqetësimi për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratik”.

“1. Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj integrimit në BE, bazuar në konsensus midis të gjitha partive të saj politike dhe mbështetje dërrmuese midis qytetarëve të saj, dhe përgëzon faktin që Shqipëria hapi të gjitha grupet për negociatat e pranimit brenda vetëm 13 muajsh; vëren se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësim në BE mbetet vazhdimisht e lartë dhe pasqyron aspiratat e forta evropiane të shoqërisë shqiptare; inkurajon vendin të ruajë vrullin aktual të reformave dhe të vazhdojë përafrimin e saj me acquis të BE-së , duke theksuar se përparimi i Shqipërisë në rrugën e saj evropiane kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kontinentit evropian;

2. Merr parasysh ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027 dhe mirëpret progresin e shpejtë të bërë vitet e fundit në këtë drejtim; thekson nevojën që autoritetet shqiptare të sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit;

3. Vëren se si raporti i Komisionit të vitit 2025 për Shqipërinë ashtu edhe raporti i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të majit 2025 e vlerësojnë kornizën zgjedhore të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, ndërsa përsërit shqetësimet në lidhje me një fushë loje të pabarabartë për aktorët politikë, keqpërdorimin e burimeve administrative që zbeh kufijtë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, financimin e partive politike, akuzat për blerje votash dhe presionin mbi votuesit; prandaj, i bën thirrje shumicës politike të Shqipërisë dhe opozitës së saj që të ndjekin, në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse, një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e pazgjidhura të ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut shumë kohë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore; thekson se një reformë e tillë duhet të forcojë kornizën zgjedhore, duke përfshirë transparencën e financimit të fushatave, aksesin e barabartë në media dhe mbrojtjet kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, dhe të sigurojë që korniza të zbatohet në mënyrë efektive; nënvizon se konsensusi i gjerë politik dhe zbatimi i vërtetë i këtyre reformave janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut në zgjedhjet e ardhshme;

4. Shpreh shqetësimin për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; inkurajon aktorët politikë të riangazhohen në dialogun konstruktiv parlamentar, duke siguruar që Parlamenti i Shqipërisë të mbetet forumi qendror për debat demokratik dhe mbikëqyrje demokratike; nënvizon se një demokraci funksionale kërkon pjesëmarrje kuptimplote të opozitës në procedurat parlamentare; kujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale;

5. Inkurajon një kontroll më të fortë parlamentar të ekzekutivit, transparencë të shtuar në procedurat legjislative dhe konsultime më kuptimplote, në një fazë të hershme, me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura; thekson se progresi në procesin e integrimit në BE duhet të ndiqet pa bërë kompromis me cilësinë dhe përfshirjen e reformave; nënvizon rëndësinë e angazhimit adekuat të palëve të interesuara dhe pronësisë kombëtare në mënyrë që të sigurohet zbatim i qëndrueshëm dhe ndikim i qëndrueshëm; thekson rëndësinë e forcimit të rolit dhe kapaciteteve të komisioneve parlamentare të Shqipërisë, duke përfshirë edhe përmes aksesit të përmirësuar në informacion, mbështetjes së ekspertëve dhe procedurave transparente legjislative”, thuhet veç të tjerash në rezolutë.Versus.al

4 ORE ME PARE

“Parlamenti Europian e ndau shapin nga sheqeri”, Rama reagon pas votimit të raportit për Shqipërinë dhe amendamentit për Zvërnecin

Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë: Të

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, duke e lidhur debatin me dezinformimin dhe duke mbrojtur qëndrimet për zhvillimin e zonave të diskutueshme dhe duke kritikuar sërish protestën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi amendamentin 4, i cili u rrëzua nga eurodeputetët, dhe amendamentin 17, i cili u miratua si pjesë e raportit për Shqipërinë.

Rama shkruan se "Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit".

“Edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Në reagimin e tij, Rama tha se votimi në Parlamentin Europian është një vlerësim për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.

“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, shkroi ai.

Kryeministri shtoi se Vjosë-Narta dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të bazohet në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.

“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet,  Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.

Parlamenti Europian miratoi të mërkurën rezolutën për Shqipërinë. Në rezolutë vlerësohet angazhimi i Shqipërisë në integrimin në BE dhe ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027.

Në raport theksohet “shqetësimi për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratik”.Versus.al

Poll