AKTUALITET /

Ndërpriten kërkimet për 26-vjeçarin nga Tropoja, gjurmë të reja çojnë hetimin në Kosovë

Florjan Tabaku i shpallur i zhdukur më 20 tetor, dyshohet se është parë në Deçan

Shkruar nga Versus

Ndërpriten kërkimet për 26-vjeçarin nga Tropoja,

Pas shtatë ditësh kërkimesh intensive në zonën malore të kufirit Shqipëri–Kosovë, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) ka vendosur të ndërpresë operacionin për gjetjen e Florjan Tabakut, 26-vjeçarit nga fshati Viçidol i Tropojës, i raportuar i zhdukur nga familja më 20 tetor 2025.

Vendimi u mor pasi autoritetet kosovare kanë marrë informacione të reja, sipas të cilave i riu është parë duke hipur në një autobus që udhëtonte drejt zonës së Rastavicës, në komunën e Deçanit.

Ndërpriten kërkimet për 26-vjeçarin nga Tropoja,

Kryetari i ShKShMK-së, Deni Hameli, konfirmoi për mediat se analizat e pamjeve të sigurisë kanë sjellë prova të reja për lëvizjen e 26-vjeçarit:

“Ai ka zbritur poshtë malit. Bazuar në pamjet e kamerave, kemi arritur ta konstatojmë se bëhet fjalë për të njëjtin person. Prandaj, tani kjo është punë e policisë dhe hetuesisë që të merren me rastin,” – deklaroi Hameli.

Ndërpriten kërkimet për 26-vjeçarin nga Tropoja,
Kërkim masiv në kushte ekstreme

Prej ditës së zhdukjes, në kërkimet për Florjan Tabakun janë angazhuar Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, Policia e Shtetit, Bashkia Tropojë, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe dhjetëra vullnetarë nga zona.
Operacioni është shtrirë në një territor të gjerë, nga fshatrat Mulliq e Kamenicë, deri në Qafë-Morin e Kasaj, në kushte shumë të vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu dhe terren të rrezikshëm malor.
Në ndihmë është përdorur edhe një helikopter kërkim-shpëtimi, për të mbuluar zonat më të thella dhe të paarritshme.

Ndërpriten kërkimet për 26-vjeçarin nga Tropoja,

Familja vijon kërkimin, apelon për ndihmë
Megjithëse kërkimet zyrtare janë pezulluar, familja e Florjanit vazhdon të kërkojë djalin në mënyrë të pavarur. Ata shprehen të shqetësuar se, edhe pse dyshohet se ai ka zbritur poshtë malit, nuk është kthyer ende në shtëpi dhe mund të jetë në gjendje të brishtë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Sipas Prefekturës së Kukësit, në operacionet e zhvilluara në anën shqiptare kanë marrë pjesë rreth 50 persona, përfshirë punonjës të bashkisë, familjarë dhe banorë të zonës, me përqendrim në rajonet ku fillimisht dyshohej se mund të ishte ndalur i riu.

Në ditët e fundit, Policia e Kosovës ka zhvendosur hetimet në drejtim të Junikut dhe Gjakovës, ku po analizohen pamje të reja kamerash sigurie për të verifikuar rrugën që mund të ketë ndjekur Tabaku. Edhe pse operacioni i kërkimit është ndërprerë, autoritetet shqiptare dhe kosovare kanë theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë, derisa të sqarohen plotësisht rrethanat e zhdukjes së 26-vjeçarit nga Tropoja.

Poll