
Policia e Durrësit ka vënë në pranga Ardian Halilin, ish-kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e qytetit bregdetar.
Ai akuzohet se në vitin 2017 ka ngritur një resort luksoz pa leje në zonën e Shetajt, Ishëm.
Kompleksi i njohur si “Restorant Saint Michelle Camping Hotel” përfshin ambiente luksoze, pishina dhe struktura banimi. Hetimet janë shtrirë edhe në dokumentacionin pranë Kadastrës, pasi dyshohet se i gjithë objekti është ndërtuar në paligjshmëri. Fillimisht, policia njoftoi për ndërtim të disa shtëpive pushimi pa leje, por më pas doli se bëhej fjalë për një resort të tërë.
Halili është shkarkuar nga posti i drejtorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në vitin 2021. Ai ka deklaruar se kontrata i ishte ndërprerë nga Bashkia që në mars të atij viti, ndërsa vetë institucionet vendore kanë bërë me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen.
Ngjarja po hetohet në mënyrë të thelluar nga organet kompetente dhe priten zhvillime të reja lidhur me legalitetin e ndërtimit./Versus.al







