AKTUALITET /

Në kohë krize, Emiriana Sako kërkon t'i rris pagën vetes dhe stafit: debate në Këshillin Bashkiak të Durrësit

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, kërkon rritje pagash për administratën bashkiake në kohë rritjeje çmimesh, duke shkaktuar debat të ashpër me opozitën. Ndërkohë, jashtë Bashkisë vijojnë protestat e banorëve të prekur nga projekti TID.

Shkruar nga Versus

Në kohë krize, Emiriana Sako kërkon t'i rris pagën

Ndërkohë që çmimet e naftës dhe të produkteve bazë vazhdojnë të rriten, duke shtuar presionin ekonomik mbi familjet, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka propozuar rritje pagash për veten dhe punonjësit e administratës bashkiake.

Kërkesa shkaktoi debate të ashpra dhe përplasje të fortë gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Opozita e cilësoi vendimin të pajustifikuar dhe diskriminues, duke kritikuar sidomos faktin që rritja më e madhe i takon kryebashkiakes dhe aparatit drejtues.

Sipas tyre, çdo rritje page duhet t’u drejtohet punonjësve të linjës së parë – mësuesve, stafit të kopshteve, policisë bashkiake dhe administratës së nivelit të ulët – e jo drejtuesve të lartë, të cilët nuk kanë dhënë rezultate të dukshme në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Njëkohësisht me mbledhjen, jashtë godinës së Bashkisë vijoi protesta e banorëve të prekur nga projekti i madh TID, të cilëve iu bashkuan edhe banorë nga zona Baks-Rrjoll.

Gjatë seancës, këshilltari i Partisë Demokratike, Ardian Muka, kërkoi që përfaqësuesit e banorëve të merrnin pjesë në diskutime për të paraqitur shqetësimet e tyre drejtpërdrejt, por kjo kërkesë u refuzua.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Denisa Luarasi, tha se përgjigjet do t’u jepen banorëve në mënyrë online.

Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe rialokimi i rreth 714 milionë lekëve fonde rindërtimi për vitin 2026, megjithëse u ngritën shqetësime për vonesat në zbatim.

Nënkryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi, deklaroi se procesi i shpërndarjes së banesave po vazhdon dhe shumica e familjeve në zonën e Spitallës kanë marrë tashmë çelësat./Versus.al

Poll