
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë ngritur dyshime se një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës, ka investuar në sektorin mediatik përmes kompanisë “Abeg” Shpk, me qëllim zgjerimin e aktivitetit dhe ndikimin në opinionin publik.
Sipas dosjes hetimore, përmes kësaj kompanie dyshohet se janë siguruar licenca për radio dhe televizion, si dhe është hapur një portal informativ, i prezantuar publikisht si media e pavarur.
Hetimet sugjerojnë se përveç përdorimit të bankave të nivelit të dytë për qarkullimin e miliona eurove, grupi kriminal dyshohet se ka investuar në media si pjesë e skemës së pastrimit të parave dhe ndikimit në përmbajtjen e lajmeve.
Në disa materiale të siguruara nga hetuesit, dyshohet se janë evidentuar komunikime ku diskutohet për përshpejtimin e transmetimit të lajmeve dhe ndikimin e tyre në opinionin publik, duke lënë të kuptohet për një strategji të qëllimshme të kontrollit të narrativës mediatike.
Sipas burimeve hetimore, media e krijuar nga kompania “Abeg” Shpk prezantohej si platformë e pavarur informative që mbulonte zhvillimet në Shqipëri dhe raportimet nga institucionet ndërkombëtare.
Gjithashtu, është zbuluar edhe një listë punonjësish prej disa personash, ku përfshihet edhe emri i Besnik Myftarit, i cili dyshohet se është përdorur si figurë formale për të maskuar pronarët e vërtetë përfitues të aktivitetit mediatik.
Hetuesit po vijojnë verifikimet për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të përdorur nga grupi kriminal.

