AKTUALITET /

Dosja “Toyota Yaris”, GJKKO dërgon për gjykim biznesmenin Astrit Vladi dhe Eriona Daupajn

Sipas dosjes hetimore, Astrit Vladi akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe në disa episode, si dhe për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”

Shkruar nga Versus

Dosja “Toyota Yaris”, GJKKO dërgon për gjykim biznesmenin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj të pandehurve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Vendimi është marrë në seancën paraprake të zhvilluar më 25 qershor 2026, ku trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Paulin Çera ka pranuar kërkesën e SPAK për dërgimin e çështjes në gjykim në themel.

Sipas dosjes hetimore, Astrit Vladi akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe në disa episode, si dhe për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Ndërkohë, Eriona Daupaj akuzohet për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjykata ka vendosur që çështja të kalojë për gjykim dhe të shqyrtohet nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh në GJKKO. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

SPAK kishte paraqitur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq më 3 prill 2025, në kuadër të procedimit penal nr. 26 të vitit 2024.

Hetimet lidhen me ngjarje të vitit 2020, kur Astrit Vladi dyshohet se i ka kërkuar avokates Lazimi të ndikonte te një gjyqtar që po shqyrtonte çështjen penale ndaj vëllait të tij, Elvis Vladi. Sipas SPAK, Lazimi ka pranuar të ndërmjetësojë kundrejt përfitimeve monetare të parregullta.

Emri i Lazimit doli gjatë hetimeve të dosjes së njohur si “Toyota Yaris”, një prej çështjeve më të bujshme të viteve të fundit. Skandali shpërtheu pasi në vitin 2018 u sekuestruan rreth 3.4 milionë euro të fshehura në dy automjete tip Toyota që kishin mbërritur nga Belgjika në Shqipëri.

Dosja “Toyota Yaris” ka sjellë më herët edhe dënimin e ish-kryeprokurores së Vlorës, Aurela Zarka, si dhe avokatit Radovan Çela. Versus.al

Poll