AKTUALITET /

Shkaktuan 12.5 mln lekë dëm në buxhetin e shtetit, masa sigurie për 6 funksionarë publikë që abuzuan me ndihmën ekonomike

Prokuroria thekson se pas nisjes së procedimit penal, numri i familjeve përfituese në këtë njësi administrative ra nga 320 në vetëm 110, një fakt që sipas hetuesve dëshmon përmasat e abuzimit.

Shkruar nga Versus

Shkaktuan 12.5 mln lekë dëm në buxhetin e shtetit, masa sigurie

Një skemë e dyshuar abuzimi me fondet e ndihmës ekonomike ka çuar në vendosjen e masave të sigurisë ndaj gjashtë funksionarëve publikë në qarkun e Elbasanit. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 12.5 milionë lekësh.

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndaj të dyshuarve janë caktuar masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”. Mes tyre janë administratorë shoqërorë, një postier, drejtues drejtorie në bashki dhe specialistë të administratës vendore.

Sipas organit të akuzës, funksionarët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim për të përfshirë në mënyrë të paligjshme familje që nuk plotësonin kriteret për përfitimin e ndihmës ekonomike. Përmes kësaj skeme, numri i përfituesve është rritur artificialisht, ndërsa fondet shtetërore janë përvetësuar në kundërshtim me ligjin.

Hetimet nisën pas kallëzimit të një qytetari në prill të vitit 2025, i cili ngriti dyshime për mënyrën e administrimit të skemës së ndihmës ekonomike në lidhje me familjarët e tij. Pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Elbasanit dhe Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u zbulua një skemë e organizuar që vepronte në një nga njësitë administrative të qarkut.

Sipas hetimeve, për periudhën tetor 2024 – korrik 2025, në listat e përfituesve janë përfshirë persona që nuk kishin të drejtë të merrnin mbështetje financiare nga shteti. Prokuroria thekson se pas nisjes së procedimit penal, numri i familjeve përfituese në këtë njësi administrative ra nga 320 në vetëm 110, një fakt që sipas hetuesve dëshmon përmasat e abuzimit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të dyshuarit nuk kanë administruar dokumentacionin e kërkuar, kanë rritur në mënyrë fiktive listat e përfituesve dhe nuk kanë ushtruar kontrollet ligjore të nevojshme për të parandaluar shkeljet.

Prokuroria e Elbasanit bën me dije se ndaj gjashtë personave është komunikuar akuza dhe ata kanë marrë statusin e të pandehurit, ndërsa çështja pritet të dërgohet për gjykim.Versus.al

Poll