Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë pasdites në fshatin Blerimas të Delvinës, ku një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën me ullinj, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë të plagosur një efektiv të Shërbimit Zjarrfikës.
Komandanti i zjarrfikëses së Delvinës, Besnik Khasani, ka mbetur i plagosur gjatë operacionit për shuarjen e flakëve. Mësohet se ai ka pësuar djegie në duar dhe në këmbë, ndërsa aktualisht ndodhet nën trajtim mjekësor në spital. Pamje të publikuara nga ambientet spitalore tregojnë komandantin në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa po merr ndihmën e nevojshme nga stafi mjekësor.
Ajo që e bën edhe më të veçantë veprimin e tij, është fakti se Khasani ndodhej me pushime në momentin që ra zjarri, por zgjodhi të bashkohej vullnetarisht me ekipin për të ndihmuar në përballimin e flakëve.
Sipas burimeve nga terreni, zjarri ka djegur rreth 100 rrënjë ullinj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësinë e zonës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, flakët janë vënë nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tyre në banesa apo zona të tjera të rrezikuara.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje sfidat e mëdha që përballen strukturat zjarrfikëse, sidomos në zonat rurale, ku mungesa e infrastrukturës dhe temperaturat e larta e bëjnë më të vështirë çdo ndërhyrje./Versus.al







