AKTUALITET /

Nga nesër më pak autobusa në qarkullim, Shoqata e Transportit urban njoftim pas rritjes së çmimit të naftës: Do reduktojmë flotën me 40%

Nga 15 prilli, transporti urban në Tiranë do të reduktohet me 40%, për shkak të mungesës së masave mbështetëse ndaj operatorëve, duke sjellë më pak autobusë dhe vështirësi për qytetarët.

Shkruar nga Versus

Nga nesër më pak autobusa në qarkullim, Shoqata e Transportit

Duke nisur nga data 15 prill, qytetarët e Tiranës do të përballen me reduktim të ndjeshëm të transportit publik urban dhe interurban. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban kanë njoftuar zyrtarisht se flota e autobusëve do të ulet me 40%.

Sipas deklaratës së tyre, ky vendim vjen pas mungesës së reagimit nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të operatorëve dhe takimit të zhvilluar më 1 prill 2026. Shoqatat theksojnë se deri tani nuk është miratuar asnjë masë konkrete për të mbështetur sektorin.

Ndër shqetësimet kryesore të ngritura janë mungesa e një skeme kompensimi për rritjen e çmimeve të karburantit, mungesa e një plani veprimi për lehtësimin e barrës financiare, si dhe mosnisja e procesit për rishikimin e taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e operimit, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH.

Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se kjo masë është e detyruar për shkak të situatës së rënduar financiare dhe synon të përballojë kostot në rritje. Reduktimi i flotës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në lëvizjen e qytetarëve, duke sjellë më pak autobusë në qarkullim dhe mundësi më të kufizuara transporti në kryeqytet./Versus.al

Poll