
Dy punonjëse seksi me origjinë nga Brazili dhe një shtetas nga Lezha u arrestuan këtë të shtunë pasi u kapën në flagrancë në një banesë në Shkodër.
Policia e Shkodrës njofton se operacioni policor i koduar “Rent – Home 5” është finalizuar në orët e para të mëngjesit të 23 majit në Shkodër, ku janë arrestuar në flagrancë tre persona, të dyshuar për përfshirje në aktivitet prostitucioni dhe vepra të tjera penale.
Sipas informacionit, ndërhyrja është zhvilluar në një banesë të marrë me qira në lagjen “Ndoc Mazi”, ku personat janë konstatuar duke ushtruar aktivitet të paligjshëm.
Gjatë kontrollit fizik dhe në ambientet e banesës, policia ka sekuestruar një shumë prej 995 mijë lekësh dhe 580 eurosh, të dyshuara si të ardhura nga aktivitet kriminal, si dhe tre aparate celularë.
Po ashtu, është gjetur dhe sekuestruar një cigare me rreth 0.47 gram lëndë të dyshuar narkotike, e dyshuar si kanabis.
Në lidhje me rastin, autoritetet kanë referuar materiale për veprat penale që lidhen me prostitucionin, mbajtjen e ambienteve për prostitucion, trafikimin e personave të rritur dhe narkotikët. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale janë referuar pranë prokurorisë kompetente në Shkodër. Versus.al

