Sot në Gjykatën e Durrësit u mbajt seanca ku u caktua 'arrest me burg' për Nikoll Radaçin, shoferin 57 vjeçar i cili shkaktoi tragjedinë e dy ditëve më parë duke përplasur për vdekje dy fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç teksa luanin në trotuarin pranë rrugës.
Radaçi ngiste makinën në gjendje të dehur dhe mori para tre fëmijët që po luanin në trotuar. Për pasojë, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klesi Nikollim 10 vjeç, ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeçar arriti të mbijetonte, por mori plagë të rënda.
Ajo çfarë mund të konsiderohet skandaloze është fakti se 4 vite më parë 57 vjeçari ishte falur nga policia rrugore e cila i kishte pezulluar patentën për vetëm 1 muaj për tejkalim shpejtësie, ndërkohë që sipas Kodit Rrugor duhej t’i ishte hequr për 8 muaj.
Gjithashtu banorët e lagjes kanë deklaruar në media se shpesh e kishin paralajmëruar Radaçin që të ulte shpejtësinë dhe se shkeljet e tij i kishin raportuar edhe në polici, por nuk ishin marrë masa. Pas tragjedisë së ndodhur, deputetët e Kuvendit kanë kërkuar ndryshim të Kodit Penal me ashpërsimin e dënimeve për raste të tilla. Versus.al


