
Nëna e 17-vjeçares së dhunuar brutalisht nga tre bashkëmoshatare në Fier ka rrëfyer momentet e para kur zbuloi ngjarjen e rëndë.
Mes lotësh, ajo tregon se vajza e saj ishte kthyer në shtëpi e frikësuar dhe me shenja dhune në fytyrë, ndërsa në fillim ishte përpjekur ta mbante të fshehtë atë që kishte ndodhur.
Ngjarja ka ndodhur më 8 qershor, kur 17-vjeçarja po kthehej nga kursi i parukerisë. Nëna e saj priste që vajza të kthehej në shtëpi, por nuk e dinte se tre vajza i kishin dalë përpara dhe e kishin çuar në një banesë, duke i thënë se kishin për të një “surprizë”.
Në një rrëfim për mediat, nëna tregon se fillimisht u njoftua nga bashkëshorti se vajza ishte sëmurë dhe kishte përfunduar në spital.
“Më merr burri dhe më thotë: ‘Goca ishte sëmurë’. Mendova se ndoshta kishte kaluar diçka. Shkova ta merrja që të mos priste autobusin. Goca më vjen me vrap, e tmerruar. E shoh me serumin në dorë”, rrëfen ajo.
Kur e pa vajzën, nëna kuptoi se diçka nuk ishte në rregull.
“I thashë: ‘Çfarë ke moj të keqen mami? Pse je vrarë? Kush të ka vrarë?’ Ajo më tha: ‘Asgjë, thjesht bëra një serum dhe ngaqë isha vetëm në spital, u çorra’. Por unë pashë syrin e nxirë, mjekrën e nxirë dhe flokët e saj”, tregon ajo.
Sipas nënës, 17-vjeçarja fillimisht tentoi ta justifikonte gjendjen e saj, por më pas tregoi të vërtetën.
“Tha se gjoja i kishin hapur probleme nga rrjetet sociale. Pastaj më tregoi: ‘Më dhunuan 3 goca’”, shprehet ajo.
Nëna tregon se e pyeti të bijën nëse kishte pasur ndonjë konflikt me vajzat që e sulmuan, por ajo i tha se nuk kishte asnjë problem me to.
“E pyeta: Mos ndoshta i ke ngacmuar gocat? Më tha: Jo mami, nuk kam asgjë me to. Thjesht më thanë: “Hajde me mua se kemi një surprizë”, rrëfen ajo..
Sipas dëshmisë së saj, tre vajzat ishin njohje të rastësishme dhe i kishin dalë përpara pasi 17-vjeçarja kishte dalë nga kursi i parukerisë.
Pas insistimit të familjes, adoleshentja ka shpërthyer në lot dhe ka treguar gjithçka kishte përjetuar./Versus.al
View this post on Instagram

