
Një problem serioz në infrastrukturën rrugore po vë në rrezik drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në aksin nacional Lezhë–Shkodër.
Në afërsi të Urës së Dajçit, në pikën ku konstruksioni i urës lidhet me rrugën, mungon një element metalik i strukturës, duke krijuar një hapësirë të rrezikshme në asfalt. Defekti ka bërë që automjete të shumta që kanë kaluar në këtë segment të pësojnë dëmtime, kryesisht çarje gomash dhe probleme të tjera teknike.
Sipas informacioneve, problematika është konstatuar prej dy ditësh, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë përballur me vështirësi gjatë kalimit në këtë pjesë të rrugës.
Për të shmangur aksidentet dhe për të paralajmëruar drejtuesit e automjeteve, në zonë është vendosur një patrullë e Policisë Rrugore, e cila po sinjalizon rrezikun dhe po orienton qarkullimin.
Mësohet se Policia ka kërkuar ndërhyrje urgjente për riparimin e segmentit të dëmtuar, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit.
Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në aksin Lezhë–Shkodër këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të kalojnë me vëmendje pranë Urës së Dajçit deri në riparimin e plotë të dëmtimit./Versus.al

