
Një ditë pas operacionit të zhvilluar në fshatin Zallë për kapjen e Ylli Zallës, një prej personave të kërkuar në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në Rinas, ka reaguar bashkëshortja e tij, Marinela Zalla.
Përmes një video-mesazhi, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj është i pafajshëm dhe se po përballet me akuza të padrejta për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rinas në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas saj, hetimet nuk kanë zbardhur ende të vërtetën e plotë të ngjarjes dhe autoritetet duhet të fokusohen në prova konkrete, në vend që të akuzojnë Ylli Zallën.
“Ai po akuzohet për vrasjen e ndodhur në Rinas në nëntorin e shkuar. Ylli është i pafajshëm. Pse nuk del e vërteta? Pse nuk del kush i fiku dritat në mes të Rinasit për orë të tëra? Kush përfiton duke akuzuar një njeri të pafajshëm dhe duke e futur në hasmëri me persona të tjerë? Ylli Zalla në atë kohë e kishte dorën e thyer. Pse nuk kërkohen fakte që të dalë e vërteta?”, shprehet ajo.
Më tej, Marinela Zalla ka dhënë edhe versionin e saj për operacionin e zhvilluar nga RENEA dhe Policia e Fushë-Krujës, duke pretenduar se qëllimi nuk ishte arrestimi i bashkëshortit të saj, por eliminimi fizik i tij.
“Forcat RENEA bashkë me policinë e Fushë-Krujës kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe kanë qëlluar me plumba drejtpërdrejt për ta vrarë. Kishin urdhër për ta vrarë. Kush do t’ia mbyllë gojën Ylli Zallës? Mos mendoni se duke vrarë Ylli Zallën do të fshihni të vërtetën. Ylli Zalla është gati të dorëzohet, por aman të dalë në shesh e vërteta”, deklaron ajo.Versus.al

