AKTUALITET /

SHBA feston 250-vjetorin e Pavarësisë, VanHorn: Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri! Miqësia mes dy vendeve më e fortë se kurrë

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, VanHorn, në fjalën e saj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment historik që reflekton rëndësinë e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar

Shkruar nga Versus

SHBA feston 250-vjetorin e Pavarësisë, VanHorn: Shqiptarët e

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi një pritje zyrtare me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupi diplomatik dhe të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike.

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, VanHorn, në fjalën e saj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment historik që reflekton rëndësinë e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ajo theksoi se 4 korriku 1776 shënoi lindjen e idealeve themelore amerikane, të cilat sipas saj kanë frymëzuar jo vetëm SHBA-në, por edhe popuj të tjerë në kërkim të lirisë dhe dinjitetit.

“Për 250 vjet këto ideale kanë frymëzuar njerëz në mbarë botën që të jetojnë të lirë”, u shpreh VanHorn.

Duke folur për Shqipërinë, diplomatja amerikane vlerësoi transformimin e vendit nga izolimi dhe diktatura drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik, duke e cilësuar këtë rrugëtim si një histori suksesi të ndërtuar mbi sakrifica dhe përkushtim qytetar.

“Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri. Udhëtimi i këtij vendi drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore është frymëzues”, deklaroi ajo.

Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua dy punonjësve shqiptarë të Ambasadës Amerikane, Loni Adami dhe Kol Kuqali, të cilët humbën jetën gjatë regjimit komunist pasi refuzuan të jepnin dëshmi të rreme kundër SHBA-së. VanHorn tha se kishte takuar familjarët e tyre, duke e cilësuar qëndrueshmërinë e tyre si simbol të besimit dhe miqësisë mes dy vendeve.

“Besimi i tyre se Shqipëria do të ishte e lirë dhe e lidhur ngushtë me SHBA-në mbetet frymëzim për ne”, u shpreh ajo.

Në fund të ceremonisë, VanHorn theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushat e sigurisë, ekonomisë, arsimit dhe demokracisë, duke e konsideruar marrëdhënien dypalëshe më të fortë se kurrë më parë.

“Gëzuar 250 vjet liri dhe Gëzuar 4 Korrikun”, përfundoi ajo.Versus.al

Poll