Me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, është ndërmarrë një valë lëvizjesh në nivelet drejtuese të policisë, duke prekur disa nga pozicionet më të rëndësishme në qarqe të ndryshme të vendit.
Një nga ndryshimet kryesore është largimi i Besmir Dervishi nga posti i zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, i cili tashmë do të drejtojë hetimin e krimeve në Kukës. Në vend të tij, në kryeqytet, është emëruar Oliger Torba, që më herët mbante të njëjtin pozicion në Fier.
Rokada prek edhe Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, ku Ermal Kënaçi largohet nga drejtimi dhe transferohet në Kukës, ndërsa lëvizje ka edhe në nivele të tjera të hetimit.
Në këtë kuadër, Gent Ndoj, deri më tani drejtor për Hetimin e Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme, është transferuar në Dibër.
Ndryshimet nuk ndalen këtu. Edhe qarqe si Shkodra, Lezha dhe Fieri janë përfshirë në këtë rikonfigurim, ku janë rishpërndarë rolet e nëndrejtorëve dhe drejtuesve vendorë, në një përpjekje për të rifreskuar strukturat dhe për të rritur efikasitetin në terren.
Paralelisht, më herët, Hita emëroi Alban Dautaj në krye të Drejtorisë së Operacionales, pas largimit të Melsi Koçi. Ndërkohë, drejtimi i Antiterrorit i është besuar Edmond Sulës, duke plotësuar kështu një tjetër hallkë të rëndësishme në strukturën e sigurisë.
Këto lëvizje sinjalizojnë një fazë të re riorganizimi në Policinë e Shtetit, me fokus forcimin e strukturave dhe rritjen e performancës në luftën kundër krimit.

