Shtatë persona janë shoqëruar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se mund të kenë dijeni apo lidhje me strehimin dhe lëvizjet e Flodian Plakut, i arrestuar këtë të diel në zonën e Orikumit.
Burime bëjnë me dije se personat në fjalë po merren në pyetje në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndërsa hetimet po përqendrohen në rrjetin mbështetës që mund t’i ketë ofruar ndihmë Plakut gjatë arratisjes së tij.
Plaku, 41 vjeç, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është i dyshuar si një nga atentatorët në vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje që ndodhi më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës, ku viktima u qëllua për vdekje në kopshtin e shtëpisë, në sy të familjarëve.
Në momentin e arrestimit, Plaku kishte me vete dy armë zjarri, ndërsa po hetohet për lidhje të mundshme me grupe kriminale që operojnë në zonën e Krujës dhe Durrësit.
Ai kishte jetuar mes Greqisë dhe Italisë, dhe dyshohet se ishte kthyer në Shqipëri për të kryer një tjetër vrasje me pagesë. Ndaj tij rëndojnë edhe të dhëna të mëparshme penale, ndërsa hetimet zbulojnë se vrasja e Bejtjes mund të ketë lidhje me rivalitetin mes grupeve të njohura kriminale si ato të Ervis Martinajt, Durim Bamit dhe Indrit Dokles.
Hetimet vijojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të gjithë zinxhirin e urdhëruesve, bashkëpunëtorëve dhe qëllimin final të atentatit.







