Komisionieri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave ka gjobitur me 35 milionë lekë kompaninë e ndërtimit “Agi Kons”.
Masa administrative me gjobë është marrë pas konstatimit të shkeljeve në përpunimin dhe mbrojtje e të dhënave personale. Konkretisht, kompania “Agi Kons” ka publikuar foto dhe video të personave të ndryshëm pa u marrë më parë pëlqimin.
Gjithashtu kontrollet provuan mungesën e një kontrate të rregullt me kompaninë përpunuese “InterMedia”, mungesën e dokumentimit të veprimtarive të përpunimit, masa të pamjaftueshme teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave, si dhe mungesën e auditimeve dhe procedurave të monitorimit.
Kompania nuk kishte hartuar plane për menaxhimin e riskut dhe rikuperimin e të dhënave si dhe nuk kishte dokumentuar politika për vazhdimësinë e biznesit në rast incidentesh.
Për publikimin e fotove dhe videove pa pëlqimin e personave konkretë, u vendos gjoba prej 24 milionë lekësh, ndërsa shkeljet me sigurinë e të dhënave, kompania u gjobit me 11 milionë lekë, pra në total 35 milionë lekë.

Alban Çinari rezulton të jetë administrator i kompanisë e cila pronar përfitues ka biznesmenin Gentian Sula, i cili zotëron indirekt 100% të kapitalit të kompanisë përmes shoqërisë mëmë “UK Development Holding Limited”. Emri i Sulës shfaqet si i pandehur për korrupsion në dosjen e SPAK për kryebashkiakun Erion Veliaj. Pronësia e kompanisë "Agi Kons" u transferua në Angli pas veprimeve hetimore ndaj Sulës.
Hetimet ndaj kompanisë së tij lidhen me dyshime për korrupsion aktiv në kuadër të dosjes “Veliaj”, ndërsa janë kërkuar edhe ortofoto satelitore për zonat “Kodra e Diellit” në Tiranë dhe resortin “Marea” në Qerret, projekte të lidhura me aktivitetin e kompanisë. Versus.al

