Në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ishte planifikuar të shqyrtohej sot kërkesa e SPAK për pushimin e procedimit ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, e cila është kallëzuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë për dyshime mbi falsifikim të vulave dhe formularëve.
Seanca do të shqyrtohej nga gjyqtarja Marinela Osmani, ndërsa në proces ishin të pranishëm edhe përfaqësues ligjorë të ish-kryeministrit Sali Berisha, si dhe Jamarbër Malltezi, të cilët janë pjesë e kallëzimit.
Megjithatë, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 4 maj, pas një kërkese të paraqitur nga një prej kallëzuesve, Adriana Kalaja, e cila ka dorëzuar raport mjekësor 4-ditor duke pretenduar pamundësi për të marrë pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Çështja lidhet me pretendimet e Partia Demokratike e Shqipërisë se gjyqtarja Gjoka ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një vendim të mëparshëm të një gjykate në Janinë. Nga ana tjetër, SPAK ka argumentuar se çështja është zhvilluar në mungesë dhe se gjyqtarja nuk ka qenë në dijeni, ndërsa edhe në rast se vendimi do të merrej si i vlefshëm, ndjekja penale rezulton e parashkruar.
Gjyqtarja Gjoka është përmendur shpesh në debatet politike, pasi ka qenë gjyqtare e hetimeve paraprake në çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, ku Sali Berisha akuzohet për korrupsion, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash./Versus.al

