AKTUALITET /

Takimi me Ramën nuk i bind, banorët e prekur nga projekti TID: Propozimet e kryeministrit, vetëm fjalë, s'i pranojmë

Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Shkruar nga Versus

Takimi me Ramën nuk i bind, banorët e prekur nga projekti TID:

Banorët e shtëpive që preken nga projekti TID në Durrës kanë dalë me një deklaratë zyrtare pas takimit që patën me kryeministrin Edi Rama të shtunën në bashkinë e qytetit bregdetar. Në deklaratë thuhet se Rama u kishte ofruar vetëm 3 alternativa duke ua bërë të qartë se projekti do të zbatohej me patjetër.

Duke i konsideruar propozimet e Ramës “vetëm fjalë” që nuk janë dakordësuar me ta, banorët kërkojnë që shembjet e banesave të pezullohet dhe të ketë një shtyrje të projektit deri në një shqyrtim ligjor të saktë për secilin prej rasteve. Në rast të kundërt ata paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestat.

DEKLARATË PUBLIKE E BANORËVE TË PREKUR NGA PROJEKTI “TID DURRËS”

Në vijim të diskutimit të zhvilluar me përfaqësues institucionalë, Kryeministrin dhe Kryetaren e Bashkisë Durrës, ndiejmë detyrimin të bëjmë publike qëndrimin tonë si banorë të prekur nga projekti.

Gjatë takimit u deklarua qartë se projekti do të realizohet patjetër dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim në të.

Alternativat që na u ofruan janë:

⚫ të pranojmë një çmim shpronësimi (pak më të lartë);

⚫ të zhvendosemi në zona periferike të përcaktuara prej tyre;

• ose të mblidhemi të gjithë në një objekt të vetëm, të zgjedhur nga Bashkia.

Ne e kundërshtojmë këtë qasje.

Projekti ka mangësi dhe shkelje procedurale. Ka prona të papërfshira në listën e shpronimeve ose pa ekspertizë të saktë. Nuk mund të pranojmë një projekt me shkelje vetëm sepse është vendosur të zbatohet.

• Propozimet e Kryeministrit nuk janë dakordësuar me ne.

• Çmimi referencë është një çmim dysheme.

• Zhvendosja, edhe nëse pranohet nga banorët, duhet të bëhet me dakordësinë e vetë tyre.

• Deri tani, propozimet mbeten vetëm fjalë.

Kërkojmë:

– Shtyrje të afateve ligjore të ekzekutimit të projektit; – Pezullim të shembjeve;

– Shqyrtim ligjor të plotë të çdo rasti, një e nga një.

Në të kundërt, do të detyrohemi të përshkallëzojmë protestën dhe të intensifikojmë reagimin tonë publik dhe institucional. Komunikimet tona në nivel ndërkombëtar tashmë janë realizuar dhe do të vijojnë, në mbrojtje të të drejtave tona dhe të parimeve të shtetit ligjor.

Ne kërkojmë vetëm ligjshmëri dhe respekt për të drejtën tonë të pronës.

Banorët e Prekur nga Projekti “Tid Durrës”. Versus.al

Poll