AKTUALITET /

Tragjedia në Gjilan: Babë e bir të vrarë me breshëri plumbash, argjendarë të nderuar! Qytetarët ulin qepenat në shenjë dhembje

Të vrarët janë Selami Hasani, Abedin Hoxha dhe Edmond Hasani, ndërsa të plagosurit, Naim dhe Bujar Hoxha, ndodhen nën kujdesin intensiv në spital.

Shkruar nga Versus

Tragjedia në Gjilan: Babë e bir të vrarë me breshëri

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin e Gjilanit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë pas një sulmi me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 gusht dhe dyshohet të jetë rezultat i një konflikti për fajde.

Të vrarët janë Selami Hasani, Abedin Hoxha dhe Edmond Hasani, ndërsa të plagosurit, Naim dhe Bujar Hoxha, ndodhen nën kujdesin intensiv në spital.

Autorët në arrati: Shpallen në kërkim Mefail Shkodra dhe djemtë e tij
Sipas Policisë së Kosovës, autor i dyshuar i masakrës është Mefail Shkodra, një emër i njohur për drejtësinë kosovare, së bashku me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra. Të tre janë shpallur në kërkim për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Autoritetet kanë angazhuar forcat hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të përfshihet në hetim, duke deklaruar se “askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm”.

Viktimat: Babë e bir të njohur në qytet, argjendarët mbyllin dyqanet në shenjë zie
Dy nga viktimat, Selami dhe Edmond Hasani, ishin babë e bir, të njohur dhe të respektuar në qytetin e Gjilanit si argjendarë prej vitesh. Në shenjë dhembjeje dhe respekti, të gjithë argjendarët e qytetit kanë ulur qepenat e bizneseve të tyre ditën pas ngjarjes.

Kush është Mefail Shkodra? – Nga luksi dhe lidhjet politike, te akuzat për fajde
Mefail Shkodra nuk është një emër i panjohur për institucionet e drejtësisë. Në qershor 2024, ai dhe i biri ishin arrestuar për fajde, nën akuzën se jepnin para me interes të lartë dhe kërcënonin viktimat për t’i marrë mbrapsht me fitime të paligjshme.

Sipas Policisë së Kosovës në atë kohë, viktimave u ishin shkaktuar dëme mbi 600.000 euro. Pavarësisht akuzave të rënda, Shkodra u lirua vetëm pas disa muajsh, në tetor 2024.

Në rrjetet sociale, Shkodra shpesh shfaqej në makina luksoze, ambiente ekstravagante dhe në foto me politikanë të njohur kosovarë, përfshirë Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, Xhelal Sveçlën, Përparim Ramën dhe Ramush Haradinajn.

Motivi i dyshuar: paratë me fajde
Hetimet paraprake sugjerojnë se ngjarja e rëndë e 10 gushtit mund të ketë pasur si shkak kryesor borxhet dhe përplasjet për paratë e fajdes, që Mefail Shkodra dhe familjarët e tij dyshohet se i jepnin në mënyrë të jashtëligjshme.

Autoritetet janë në kërkim intensiv të autorëve dhe kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin dhe arrestimin e tyre. /Versus.al/

Poll