AKTUALITET /

Tragjedia që luhet në Gjoricë/ Banorëve u marrin tokat për parqe fotovoltaike, truku me kompaninë që Tasha shiti tek Marin Gjonaj për 1 mijë euro (Dokumente)

Në shkurt të vitit 2024, bashkia miratoi kalimin e tokave me sipërfaqe 42.5 hektarë në fshatin Gjoricë në përdorim të biznesmenit Sokol Tasha. Vetëm një muaj pasi kishte marrë në përdorim këto toka për parkun fotovoltaik, biznesmeni Sokol Tasha i kalon aksionet e ‘Gjorica Solar Park’ drejt “Gjonaj Group Holdings shpk” të biznesmenit Marin Gjonaj për shumën prej 100 mijë lekësh.

Shkruar nga Versus
Tragjedia që luhet në Gjoricë/ Banorëve u marrin tokat
Fotomontazh: Biznesmeni Marin Gjonaj, kryebashkiakja e Bulqizës Festime Mjeshtri dhe banorët në këshillin bashkiak

Banorët e Gjoricës hynë sot me forcë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Bulqizës për të shprehur kundërshtinë e tyre lidhur me 42.5 hektarë tokë që me vendim të bashkisë do të përdoren nga kompania “Gjorica Solar Park” për ndërtimin e një parku fotovoltaik, siç po ndodh me qindra hektarë tokë që janë dhënë pa garë nga kryebashkiakja Festime Mjeshtri.  

Duke kundërshtuar fuqishëm vendimin që jep në përdorim këto toka për impiantet fotovoltaike, banorët pretendojnë se nuk janë zhvilluar dëgjesa me ta dhe kërkuan edhe listën e personave të pranishëm në dëgjesën e parë me pretendimin se ata mund të mos jenë të zonës.

“Ne duam të dimë kush ka qenë në dëgjesën e parë që këta thonë se kanë zhvilluar. Duam emrat, të dimë nëse janë banorë të kësaj zone apo ndonjë qyteti tjetër, Kukës a Tiranë, a Elbasan. Ne do të biem blegtoritë në këtë mikroparlament”- u shpreh njëri prej banorëve.

Sipas tyre, projektet të cilat po zbatohen në masë në Bulqizë kërcënojnë drejtëpërdrejtë jetesën e komunitetit lokal pasi prekin kullotat e përbashkëta që përdoren për blegtorinë e bujqësinë.

“Nëse na merren tokat, nuk kemi ku kullosim bagëtitë. Toka asokohe u la e përbashkët për të gjithë katundin. Si e marrin pa patur asnjë bazë? Ne nuk i lëmë, do shkojmë edhe tek kryeministri. Do bashkohemi të gjithë që kemi probleme të tilla”- shtoi më tej njëri prej banorëve të pranishëm në sallë.

Projekti ‘Gjorica Solar Park’

Në shkurt të vitit 2024, bashkia miratoi kalimin e tokave me sipërfaqe 42.5 hektarë në fshatin Gjoricë në përdorim të biznesmenit Sokol Tasha. Projekti më pas u licensua nga Enti Rregullator i Energjisë. Sipas një vëzhgimi në të dhënat e subjektit rezulton se kjo kompani është krijuar në nëntor të vitit 2023, pak muaj para se të merrte në dorëzim tokat e banorëve të Gjoricës.

42.5 hektarë tokë për 1 mijë euro

Projekti për parkun fotovoltaik sa vjen e bëhet më i dyshimtë kur analizohen veprimet e subjekteve që marrin në dorëzim këto toka që supozohet të përdoreshin nga banorët e zonës. vetëm një muaj pasi kishte marrë në përdorim këto toka për parkun fotovoltaik, biznesmeni Sokol Tasha i kalon aksionet e ‘Gjorica Solar Park’ drejt “Gjonaj Group Holdings shpk” të biznesmenit Marin Gjonaj.

= Tragjedia që luhet në Gjoricë/ Banorëve u marrin tokat   

Kontrata e firmosur më 8 prill të vitit 2024, përmban kalimin e 97% të aksioneve të “Gjorica Solar Park” në pronësi të Marin Gjonajt për shumën prej 1 mijë euros hose 100 mijë lekë të reja. Kështu Tasha i cili ishte fituesi i shpallur, do të zotërojë vetëm 3% të aksioneve në kompaninë që do të zaptojë tokën me parkun fotovoltaik duke lënë banorët në mëshirë të fatit pa bujqësi e pa blegtori. 

Kjo histori, e cila ne fakt duhet të jetë dhe subjekt hetimi nga prokuroria, do të dëshpëronte çdo biznesmen i cili merr në duar një kontratë të tillë multimilionë euro dhe e dorëzon atë pothuajse krejtësisht tek një tjetër aq më tepër për shumën prej 100 mijë lekësh të reja. Vetëm në rast se nuk kupton asgjë nga kjo ‘dynja ose ka qenë që në fillim thjesht "masha" për të marrë dhejtëra hektarë tokë e për ta dorëzuar te përfituesi i paracaktuar, pra Gjonaj.

Bashkia e Bulqizës si “pronë private” e Festime Mjeshtrit

Kryebashkiakja ka shkaktuar zemërim tek banorët pasi brenda 2 vitesh ka dhënë për përdorim 216 hektarë tokë pyjore dhe kullota për 5 kompani dhe të gjitha këto veprime janë bërë pa asnjë konsultim me banorët. Në secilin prej ankandeve të organizuara mori pjesë nga një operator, pa asnjë konkurrencë tjetër.

Situata e krijuar në Bulqizë është tepër e ndërlikuar sepse banorët të cilët prej vitesh jetojnë në ato troje ku sigurojnë jetesën me bujqësi e blegtori, pa kushte infrastrukturore, së shpejti rrezikojnë të mbeten edhe pa asnjë mundësi të ardhurash për shkak se tokat po jepen për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Autorietet (nëse ka mbetur ndonjë me pak dinjitet e përgjegjësi para ligjit) duhet të ndërhyjnë energjikisht për të ndalur një masakër te tillë me pronat e shtetasve të këtij vendi. Versus.al

Poll