AKTUALITET /

Përfitoi mln euro nga transferimi i pasurive të firmës, arrestohet biznesmenia në Tiranë! Prokuroria: Mashtroi aksionerët pensionistë

Organi i akuzës thotë se Elisabeta Dosti ka transferuar në mënyrë të paligjshme pasuritë e një ish-ndërmarrje shtetërore pa dijeninë e aksionerëve të saj duke përfituar kështu vlera në miliona euro.

Shkruar nga Versus
Përfitoi mln euro nga transferimi i pasurive të firmës,
Elisabeta Dosti

Prokuroria e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për Elisabeta Dostin, biznesmenen e cila akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.

Dosti dyshohet se përfitoi deri në 1 milionë euro në kurriz të aksionerëve të tjerë të firmës “Prodhim Veshje nr.02” e cila kishte qenë më herët ndërmarrje shtetërore, por pas privatizimit u kaloi punonjësve të saj.

Hetimet kanë nisur në mars të këtij viti dhe sipas prokurorisë është provuar se në vitin 2013, Elisabeta Dosti duke shfrytëzuar postin e saj si përfaqësuese ligjore e shoqërisë  “Prodhim Veshje nr.02” sh.a, (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionerë të shoqërisë), nëpërmjet veprimeve të paligjshme i ka kaluar të gjitha pasuritë e paluajtshme të kësja firme tek shoqëria "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj.

Për të fshehur gjurmët, Dosti ka zhvendosur një pjesë të pronësisë të kuotave të shoqërisë "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k. Më pas pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta.

“Pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme tek shoqëria "Empire Investment Solution (EIS)" sh.p.k, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta, një pjesë e tyre janë shitur në vlerën 1,000,000 Euro ndërsa me kontratën e sipërmarrjes të datës 18.12.2019, pasuria me nr.2/2337( transferuar në mënyrë të paligjshme) ndodhur në Rrugën "Muhamet Gjollesha" Tiranë, me sipërfaqe totale 5989 m2, nga të cilat ndërtesë me sipërfaqe 1375 m2 është dhënë për ndërtimin e objektit shumëkatësh multifunksional mbi sipërfaqen prej 12,201,36 m2. Në këmbim të pasurisë të përshkruar më sipër, porositësi do të përfitojë në objektin shumëkatësh multifunksional të ndërtuar nga Sipërmarrësi 35% të sipërfaqes ndërtimore korresponduese të sipërfaqes prej 5989 m2”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërkohë aksionerët e tjerë të shoqërisë janë përjashtuar nga përfitimi i pjesës që u takonte

“Transferimi i aseteve të pasurive nga njëra shoqëri tek tjera është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin por edhe nëpërmjet akteve të tjera të paligjshme përfshi edhe ato korruptive, me qëllimin e posaçëm të dëmtimit të interesave të aksionarëve në minorancë të shoqërisë “prodhim veshje nr.02”, të cilët ishin kryesisht pensionistë (ish punonjës të ndërmarrjes shtetërore NPV) dhe në vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre”- shton më tej prokuroria. Versus.al

Poll