
Lirimi i hapësirave publike në njësinë administrative numër.12 të bashkisë së Tiranës me kryetar Saimir Allushi po kthehet në farsë të pastër.
Në redaksinë e Versus.al ka mbërritur një denoncim tjetër nga banorët e pallatit në rrugën 'Muhamet Deliu', të cilët shkruajnë se po u grabitet hapësira që e kishin prej vitesh për parkim, vetëm për të favorizuar një lokal aty pranë, i njohur si “Twist”.
Dhe fillimisht, tek kjo zonë ishte selektive: u prish vetëm një segment rruge që do të shndërrohej në trotuar, por lokali nuk u prek fare.
Pas denoncimit në Versus për të krijuar një ide që nuk ishte ashtu siç dukej punëtorët nisën të shkatërronin të gjithë rrugën, duke prishur hapësirën që i takonte pallatit.
Ironia e hidhur?
Projekti i ri detyron këmbësorët të ecin anash për të kaluar në pjesën tjetër të rrugës, ndërsa hapësira e pallatit kthehet në parkim siç thonë banorët jo për ata, por për klientët e lokalit.
Ndërkohë që rruga e zakonshme për të kaluar kalimtarët ka qenë kjo e cila do të kthehet në parking:
Ndërsa në fotot e mëposhtme duket qartë se lokali përballë është zhvendosur vetëm pak, ndërsa ka rrethuar me beton gjithë hapësirën publike sikur të ishte pronë private.
Banorët thonë se ky është abuzim i hapur dhe se gjithçka bëhet për interesat e biznesit, jo të komunitetit.
Nisur nga kjo Versus.al i shtron disa pyetje kryetarit të njësisë administrative 12, Saimir Allushit:
1.Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar lirimin e hapësirave publike. Ju, si kryetar i Njësisë administrative numër.12, a e keni lexuar këtë urdhër apo e interpretoni sipas interesave të disa bizneseve?
2.Pse banorëve u hiqet hapësira publike, ndërsa lokali privat përballë e rrethon me beton, i paprekur nga IKMT? Kujt i shërben ky standard i dyfishtë?
3.Në cilin nen të ligjit mbështeteni kur lejoni zaptimin e pronës publike nga një subjekt privat, në dëm të komunitetit?
4.A keni verifikuar pronësinë e truallit përpara se të lejonit rrethimin? Apo thjesht mbyllët sytë?
5.Si e justifikoni shndërrimin e trotuarit dhe rrugës së banorëve në shërbim të një lokali privat, duke ua marrë qytetarëve të drejtën e lëvizjes?
6.A ka pasur ndonjë vendim zyrtar, tender publik apo plan urbanistik për këtë ndryshim? Nëse po, pse nuk publikohet?/ Versus.al







