
Shqipëria vijon të përballet me zjarre të shumta gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, ku në 24 orët e fundit janë regjistruar shtatë vatra aktive në të gjithë vendin. Situata më problematike paraqitet në zonën e Finiqit, në juglindje të vendit, ku zjarri fillimisht përfshiu fshatin Dhivër dhe më pas u përhap në fshatin Livinë, duke rrezikuar banesat e banorëve.
Falë ndërhyrjes së shpejtë nga forcat zjarrfikëse dhe efektivë të Forcave të Armatosura, situata është stabilizuar dhe rreziku për shtëpitë është hequr. Nga ajri, një helikopter dhe një avion po hedhin ujë mbi zonën e banuar, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Kjo është dita e pestë që zjarri vazhdon në zonën e Finiqit, duke kërkuar angazhimin maksimal të forcave në terren.
Në fshatin Lofkënd të Mallakastrës, falë ndërhyrjes intensive nga ajri dhe tokësore, vatra e zjarrit është izoluar në pjesën më të madhe të saj. Aktiviteti i flakëve mbetet vetëm në pjesën jugore dhe veriperëndimore të zonës, ku vijon puna intensive e 25 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe strukturave të bashkisë për shuarjen përfundimtare.
Një tjetër vatër aktive ndodhet në fshatin Malaj të Epërm, në Rrëshen, Bashkinë Mirditë, ku flakët po përfshijnë një sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe bimësi të dendur. Terreni i vështirë kufizon përdorimin e mjeteve ujëhedhëse, ndaj zjarrfikësit janë fokusuar në krijimin e brezave ndarës për të ndaluar përhapjen e zjarrit. Në ndihmë janë angazhuar 33 forca operacionale nga strukturat vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në zonën e Klosit, në fshatin Plani Bardhë, është riaktivizuar një vatër zjarri që ishte shuar ditë më parë në “Mali i Allushit”, por ajo tashmë është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
Në Gramsh, në fshatin Lleshaj, vatra e zjarrit mbahet në monitorim nga Shërbimi Pyjor, për të parandaluar riaktivizimin e flakëve, ndërsa në Bërzhitë të Tiranës, zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll vatrën e zjarrit dhe po punojnë për shuarjen përfundimtare, duke mbajtur zonën nën monitorim të vazhdueshëm gjatë natës.
Së fundmi, në zonën midis fshatrave Turan dhe Dukaj të Tepelenës, po punohet për shuarjen e një zjarri të ri që ka rënë ditën e djeshme.
Pasditen e sotme, një vatër e madhe zjarri u aktivizua në fshatin Bolenë të Himarës, duke përfshirë pyllin me pisha dhe rrezikuar banesat e afërta. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikëset dhe po kërkohet mbështetje shtesë për menaxhimin e situatës.
Për të ndihmuar në luftën kundër flakëve, prej të premtes në Shqipëri janë angazhuar dy avionë nga Suedia dhe një avion Canadair nga Kroacia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane.
Gjithashtu, në Lushnje, fshati Sejmenas, një zjarr i ri ka përfshirë ullishtet dhe sipërfaqe me shkurre të thata. Zjarrfikësit lokalë, policia dhe banorët kanë punuar intensivisht për dy orë, duke mbrojtur banesat nga flakët. Paraprakisht, si shkak dyshohet një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të fshatit. Fatmirësisht, zjarri nuk ka prekur zonat e banuara, por ka djegur qindra rrënjë ullinj dhe rreth 2 hektarë shkurre e bar të thatë./ Versus.al







