Policia e Durrësit ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, 39 vjeç, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa, të dënuar për korrupsion në zgjedhje.
Memolla u vetëdorëzua dje pak orë pas shpalljes së dënimit njëvjeçar nga Apeli i Posaçëm për korrupsion gjatë zgjedhjeve të pjesshme të marsit 2022.
Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa u dënuan me nga një vit burg, ndërsa Isuf Tosku përfitoi konvertimin e dënimit në shërbim prove.
Sipas hetimeve të prokurorit Edvin Kondili, Memolla kishte ndërhyrë te punonjësit e OSHEE për të mos ndërprerë energjinë elektrike në këmbim të votave për zgjedhjet e 6 marsit 2022.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ekzekutuan vendimin e datës 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka dënuar me nga 1 burgim, shtetasit E. M., 39 vjeç, B. Xh., 48 vjeç dhe N. T., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim./Versus.al

