
Policia e Lezhës ka finalizuar një aksion antidrogë në fshatin Velë, ku ka zbuluar pesë parcela me kanabis në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Si rezultat i operacionit janë arrestuar dy persona, ndërsa katër punonjës të OSHEE-së do të hetohen në gjendje të lirë.
Të arrestuarit janë identifikuar si Marin Feta, 39 vjeç, dhe Anton Mashnori, 27 vjeç. Sipas policisë, 39-vjeçari kishte përshtatur një pjesë të banesës së tij për kultivimin e kanabisit, duke përdorur llamba dhe pajisje të posaçme që furnizoheshin me energji elektrike përmes një lidhjeje të paligjshme.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se dy ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, efektivët e policisë asgjësuan 174 bimë narkotike kanabis dhe sekuestruan dy armë gjahu, pajisje elektrike dhe teknike të përdorura për kultivim në ambiente të mbyllura, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe 18 aparate celularë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i administrimit disajavor të një informacioni të siguruar në vijim të punës intensive operative dhe operacionale kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, se në territorin e fshatit Velë, njësia administrative Kolsh, ishin kultivuar bimë narkotike, në ambiente të mbyllura dhe të hapura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Lightning”.
Në kuadër të operacionit u kapën në flagrancë, në ambientet e banesës së përshtatur për këtë qëllim, dhe u vunë ne pranga shtetasit M. F. (pronari i banesës), 39 vjeç, banues në fshatin Velë, dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Gjatë ndërhyrjes u konstatua se në njërin ambient të banesës, ishin kultivuar me llamba dhe pajisje të tjera që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, 119 bimë të dyshuara narkotike, ndërsa 2 ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të njëjtin qëllim kriminal.
Ndërkaq, si rezultat i kontrolleve të mëtejshme, u konstatuan në afërsi të kësaj banese, 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 55 bimë narkotike Cannabis Sativa, dyshohet nga 2 të arrestuarit.
Në vijim u krye kontroll dhe në banesën e 27-vjeçarit, ku u gjetën 16 celularë. Vijojnë hetimet për të sqaruar mënyrën e sigurimit dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Më tej, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”, për shtetasit J. Gj., F. M., N. G. dhe B. N., me detyra përkatëse shef grupi, lexues dhe elektricistë të OShEE-së.
Hetimet vijojnë edhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

