Tre shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë rikthyer në Shqipëri për të përballur drejtësinë, pas ekstradimit nga Greqia, Belgjika dhe Serbia. Kjo është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Athinë, Bruksel dhe Beograd.
I pari, M. H., i njohur edhe me emrin M. P., u kap në Greqi. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Beratit me 4 vite burg për pastrim parash të përfituara nga aktiviteti kriminal i shfrytëzimit për prostitucion në Itali. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vjet e 9 muaj.
Në Belgjikë u ndalua dhe më pas u ekstradua A. G., 40 vjeç, i cili ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për kultivim të kanabisit. Në vitin 2021, ai kishte mbjellë 140 bimë narkotike në tokën e tij në fshatin Grizë.
Ndërkohë, nga Serbia u ekstradua S. O., i cili ishte në kërkim për trafikim të mjeteve motorike. Ai akuzohet për futjen në Shqipëri të një automjeti tip “Mercedes Benz”, të vjedhur në Francë.







